Nga: Hoxhë Justinian Topulli

Ditën e martë me datë 7 Qershor në Tiranë dhe Prishtinë, u mbajt promovimi i një libri mbi jetën e Gylenit nga një profesor amerikan, njëkohësisht edhe pastor i krishterë. Vetë autori ndodhej në Tiranë për të folur për librin e tij.

Këtë event dukej qartë nga video dhe fotot, që e organizonin dhe e drejtonin zyrtarë gylenistë të KMSH, me pjesëmarrje të gjerë në sallë gjithashtu nga drejtues të lartë të KMSH. Sigurisht ne si besimtarë praktikantë muslimanë dhe njohës të mirë të KMSH, e dimë prej vitesh, pa as më të voglin dyshim, se krerët e KMSH dhe gjithë kryesia e saj janë ithtarë të thekur të Fethullah Gylenit, i njohim ata si bukën që hamë. Mirëpo ajo që të habit në këtë mes është fakti sesi po këta njerëz që deri dje deklaronin në mediat shqiptare se nuk janë gylenistë, sot janë po ata vetë që dalin dhe promovojnë Gylenin dhe librin lavdërues për të!

A është kjo një pranim i padeklaruar drejtpërdrejtë se janë të tillë, pasi mohimi i gylenizmit të tyre tashmë është i pamundur, njëlloj si të zësh diellin me shosh, apo kemi ndryshim në taktikën e tyre?

Para se të japim një përgjigje për këtë duhet të kuptojmë se retorika e vetë Gylenit dhe më pas e vetë ithtarëve të tij është e atillë që të të jap përshtypjen se Gyleni është thjesht një frymëzues dhe asgjë më shumë, dhe se nuk ekziston asnjë strukturë organizative e lidhur me të, por çdo gjë funksionon në mënyrë të pavarur horizontale dhe jo hierarkike! Në fakt kjo është një idiotësi dhe mashtrim i pashoq i cili bie poshtë menjëherë sapo fillon të hulumtosh nga brenda sesi funksionon dhe organizohet xhemati i “hizmetit” ose ndryshe gylenistët.

Problemi qëndron tek taktika mashtruese e Gylenit, i cili kërkon ta paraqes veten si lider frymëzues i një lëvizje, por mohon të ketë lidhje organizative të drejtpërdrejtë më të, në mënyrë që të shfajësojë veten nga çdo implikim i xhematit të tij në çështje të ndryshme dhe njëkohësisht të mbrojë edhe vetë xhematin e tij në përgjithësi nga çdo sulm i mundshëm, duke e paraqitur atë si të copëzuar në grupime ndjekësish që veprojnë dhe organizohen në mënyrë të pavarur lokale, thjesht duke pasuar mësimet dhe librat e tij!

Kjo gjetje kameleonike, Gylenit i duket brilante, dhe për rrjedhojë ua ka imponuar edhe ithtarëve të tij, të cilët edhe pse mund ta kuptojnë praktikisht se i ekspozon ata si ushtarë të tij, janë të detyruar dhe të bindur ta zbatojnë atë, sepse besojnë se kjo taktikë i ka ardhur atij nga vetë Zoti! Kështu që gylenistët, si ithtarë të verbër të Mesisë së tyre, nuk kanë rrugëzgjidhje tjetër vetëm se të mohojnë në njërën anë se janë gylenistë, pra nuk janë pjesë e asnjë organizate apo kulti apo strukture që i lidh direkt apo indirekt me Gylenin, dhe në të njëjtën kohë të promovojnë Gylenin dhe mësimet e tij, thjesht si model i një mendimtari dhe dijetari të shquar të botës islame.

Me të drejtë shumë njerëzve ky lloj kamuflimi mund t’iu duket idiot dhe absurd dhe i pabesueshëm për tu pranuar, dhe ashtu është vërtetë, por nëse arrihet të kuptohet mendësia e Gylenit dhe e kultit të tij, mes dëshirës për të promovuar personalitetin e tij si një lider Mesi për mbarë botën dhe nevojës për të fshehur veprimin e tij në terren, e kupton qartë se pse ai dhe dervishët e tij luajnë në mënyrë qesharake me këtë gjuhë dhe praktikë dualiste, duke i vënë ata shpesh herë në situata tragjikomike dhe kontradiktore.

Për të zbutur këtë shtirje apo hipokrizi apo kamuflim, ndër të tjera ata tentojnë ta përqendrojnë vëmendjen diku tjetër, tek diçka që është joshëse dhe intriguese e madhe për perëndimin laik dhe antipatik ndaj Islamit. Dhe kjo gjetje është pikërisht ai që në perëndim quhet si “Islami i mirë” apo “Islami tolerant” apo “Islami modern” apo “Islami i moderuar” modelin e të cilit Gyleni dhe gylenistët që nga fundi i viteve 90′ kanë tentuar jo pasukses të marrin flamurin e tij.

Siç vë në dukje edhe Dr. Joshua D. Hendrick, një profesor dhe studiues amerikan i gylenizmit, në një shkrim të tij (A Turkish Red Herring? The Production and Consumption of Fethullah Gülen as “Good Islam”) pas ngjarjeve të 11 shtatorit në Perëndim ka pas një dëshirë dhe kërkesë të madhe për të gjetur një “Islam të mirë” me të cilin mund të dialogohet dhe merresh vesh. Gyleni duke shfrytëzuar pikërisht këtë dëshirë dhe dobësi të Perëndimit, i cili e kërkon Islamin sipas modelit që ai imagjinon dhe dëshiron vetë, ua ka ofruar këtë lloj “Islami” përmes retorikës dhe aktivitetit të tij publik dhe ithtarëve të tij, duke bërë praktikisht atë që u pëlqen perëndimorëve ta shohin Islamin dhe duke lënë në hije atë që nuk u pëlqen atyre.

Për më shumë se një dekadë deri në 2016, kur ndodhi puçi i dështuar ushtarak, siç vë në dukje edhe profesori i mësipërm, janë sponsorizuar nga rrjeti gylenist dhe organizuar me dhjetëra konferenca dhe seminare në vende të ndryshme të botës dhe në universitete prestigjioze, për të promovuar figurën e Gylenit, si modeli ideal i Islamit në botën e sotme. Praktikisht shumica e studimeve mbi Gylenin që janë bërë në perëndim deri në 2016 nga akademikë të huaj janë të “blera” në një farë mënyrë nga vetë rrjeti gylenist, duke shfrytëzuar pikërisht dobësinë e tyre për të gjetur një “Islam të mirë”.

E njëjta gjë ndodhi edhe ditën e martë këtu në Tiranë dhe Prishtinë dhe ka ndodhur edhe më parë në përmasa shumë më të mëdha në 2011 në një konferencë ndërkombëtare ku u përfshi dhe Universiteti i Tiranë dhe mjaft profesorë vendas dhe të huaj, të cilët folën me superlativa për Gylenin, por siç kam dëgjuar personalisht nga disa prej tyre pagesa për pjesëmarrjen dhe referatet në atë aktivitet ishte joshëse.

Nëse doni të dini më shumë detaje në këtë drejtim mund të lexoni artikullin e mësipërm në anglisht, dhe mos u gënjeni nga reklama gyleniste se sa “i mirë” dhe “sa shumë vlera” ka Gyleni, që ja pohojnë edhe studies të huaj jomusliman, sepse sigurisht paraja dhe lëkura e deles e bëjnë punën shumë mirë për t’i thënë ujkut qengj.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re