Nga: Hoxhë Alban Gorishti

Prej realiteteve më të shpeshta që hasim ne shoqërinë tonë, por edhe më të hidhurat, është kur në prezencën e më meritorit i jepet përparësi më të keqit, apo atij me më pak merita. Ky ka qenë edhe emëruesi kryesor i përbashkët midis shumë grupimeve dhe ideve që kanë dominuar arenën kombëtare këtë 30 vjeçarin e fundit. Gjatë kohës që isha figurë fetare në qytetin e lindjes mësova shumëçka rreth funksionimit të komunitetit tim të vogël e të madh dhe kështu u zgjidhën shumë prej pyetjeve që kishin zënë vend në kokën time prej dekadash.

Duhet thënë se në vitet e fundit para mbylljes së medresesë të Tiranës (diku në vitin 67), fryma e rrezikshme komuniste ishte përfshirë edhe në kurikulumet e saj, kështu në të jepeshin edhe teoritë antireligjoze si Marksizmi apo Darvinizmi, ndaj edhe brezat e fundit të nxënësve të saj u brumosen “fetarisht” edhe me këto ide të mbrapshta. E kështu do të ishin këto breza të cilat do të rivendoseshin pas vitit 90, në krye të institucionit tonë përfaqësues KMSH-së dhe degëzimeve të tij.
Mbaj mend që myftiu i atëhershëm i myftinisë ku punoja, një myfti i përzgjedhur pikërisht prej atyre brezave të fundit para 67-ës, i ishte kërkuar madje disa herë (siç vetë më tregonte) për tu vendosur si myfti por sipas tij nuk kishte pranuar pasi rroga nuk ishte e mjaftueshme për të. Në myftininë tonë deri nga 96, si myfti dhe imam patëm një hoxhë të Kosovës. Një njeri i shkolluar në Medinën e dashur për teologji, një njeri i respektuar nga të gjithë dhe i aftë për atë pozitë, ndërsa siç e shikonim shpesh gjatë atyre viteve, vendin e tij do ta uzurpojë një njeri me pak shkollë fetare dhe me pak ndërgjegje religjoze dhe kjo e dëshmuar po ashtu nga një qytet i tërë. Vitet e myftiut nga Kosova i shkolluar në Medinën e ndritur, ishin vite të begata për fenë në aspektin shpirtëror-njerëzor, ndërsa vitet e myftiut të shkolluar në ateizëm do të ishin vite me ngërçe të mëdha qoftë religjoze, por edhe psiko-sociale.

Duke parë në retrospektivë lëvizjet gyleniste brenda KMSh, më ka befasuar ky aspekt. A ishte e rastësishme vendosja e atyre që kryen medresenë në kohën e komunizmit, në vitet e fundit para ndalimit të fesë ? Përgjigjen e mora pikërisht në periudhën që shërbeva si imam. Aty mësova sesi zyrtarët e atëhershëm të Komunitetit Musliman, e kishin kërkuar atë (myfttiun) disa vite rresht me ngulm, për ta emëruar si figurën më të rëndësishme fetare të rrethit dhe aspak për ndonje rol dytësor, dhe kjo ishte konfirmimi i asaj që dija prej fesë se kiameti do të vinte kur të tradhtohet amaneti dhe çështjet ti ngarkohen të paaftëve.
Ndërsa kuptova po ashtu për nijetin e mbrapshtë të atyre që i dhanë përparësi këtyre te shkolluarve në komunizëm para te tjerëve, pasi nuk mundet të jetë ndërtues i mirë dikush që e nderton shtëpinë me mall skarco dhe as fetar i mirë ai që përpiqet ta “afrojë” kiametin.
Fatkeqësisht ky realitet ishte i njëjtë për tërë Shqipërinë dhe jo i kufizuar vetëm në rrethin ku jetoja asokohe.

Kështu, gjatë periudhës që drejtonin Komunitetin Musliman klani i figurave fetare të formësuara në komunizëm, shumë prej nxënësve të cilët studiuan në botën arabe (figura me metodologji të spikatura selefiste) tashmë u kthyen duke dashur të kontribuojnë në vendin e tyre. Shumë prej ketyre studentëve u përballen me po ata myftinj të cilët i kishin anatemuar ata gjatë kohës së studimeve, kjo zakonisht në kohën që ktheheshin për pushime. Mirepo, tani që përfunduan studimet, gjuha e tyre parimore e kohës së pushimeve, u shndërrua në një gjuhë oportuniste. Një figurë e caktuar fetare që deri dje ishte e komprometuar nga aspekti doktrinor, tashme ishte një figurë kontribuese e nderuar, me të cilën mundet të bashkëpunoje për të arritur qëllime “superiore”.
Dikur Muhamedi alejhi selam kur dikush prej shokëve të vet I tha se –Unë të dua o I dërguari I ALlahut – ai iu përgjigj: Ai I cili më do mua medoemos do të sprovohet (me varfëri , privime etj) me intensitetin e një ujvare e cila bie mbi një shkëmb….Kështu leku ishte një ekuacion I cili ndryshoi shumë “politika” dhe qëndrime si të figurave më të larta por edhe të disa prej nxënësve të dikurshëm që iu atribuan metodologjisë së pastër selefiste, e kështu nuk e duruan dot sprovën e pasojave të atij që të do sinqerisht ty, o I Dërguari I Allahut. Ndërsa garda e vjetër për të njejtin shkak (ekonomik) I ripërtypi fjalët e pahijshme që dikur kishte thënë në adresë të këtyre “flamurtarëve selefist”, e pikërisht për një xhep më shumë ata sot u shndërruan në njerëz pa kurrfarë njolle.

Ndërkohë që “pretendimet ” selefiste ndryshonin kohë pas kohe me shpejtësi, lëvizjet gyleniste zinin vend thellë e më thellë në zemër te KMSh-së, e kështu këta myftilerë “marksist” bashkë me disa selefiste postmodernist, ishin alibia më e mirë e ardhjes në pushtet, të sektit gylenist.
Dikush do më thotë se përse i bën bashkë të shkolluarin me shkollim të lartë, me atë të mesëm, do t’i përgjigjesha: E thjeshtë, sepse në tërë këtë ekuacion është bërë bashkë doktrina dhe antidoktrina, interesi praktik me parimin teorik, ndaj na nevojitet të ndajmë dhe të shkoqisim.

Po ashtu dikur, selefistat postmodernist i kundërshtonin praktikat risimtare të gardës së vjetër që kishte pushtuar KMSh ndërsa më pas kur ata zunë poste brenda myftinive, na orientonin që të mos i kundërshtonim, pasi ata ishin prijësit tanë dhe kjo retorikë u bë më agresive kur në KMSh erdhën njerëz me besim dhe moral fetar të cunguar siç ishin edhe gylenistët. Madje në tërë këtë propagandë përdorën edhe retorikat fetare të cilat shërbyen si kamzhiku i tyre kryesor për te mbajtur xhematin larg kësaj ngjizjeje të veçantë në llojin e saj, ngjizja gyleno-selefiste që duhet thënë është e rrallë në llojin e saj.

Sidoqoftë duhet thënë se përgjatë këtij bashkëpunimi, gylenistët kanë dalë plotësisht të përfituar, pasi e kanë mbështetur në maksimum llojin e vet (duke i punësuar) dhe duke e zëvendësuar llojin e këtyre selefistave postmodernist, ndërsa këta të fundit e kanë përçmuar llojin e vet, duke larguar rrezikun e mendimit ndryshe, mendim që edhe pse i mbështetur fetarisht, mundet ti rrezikonte postin dhe punëdhënësin e tyre gylenist. Me këtë kam frikë se janë shndërruar si shembulli i hebrenjve të kohës së profetit, të cilët vetëm e vetëm pse ishin ne aleancë me paganët, kur bënin lufte me një fis tjetër pagan, me te cilën dikush tjetër prej fiseve hebreje kishte aleancë te ndërsjellë, e vrisnin llojin e tyre, vetem e vetëm që ti bënin qejfin aleatit të tyre prej paganëve. Ky është realiteti që cek Allahu në Kuran kur thotë: ….Mirëpo ja tek jeni, duke vrarë farefisin tuaj, duke i dëbuar disa syresh nga shtëpitë e veta dhe duke ndihmuar njëri-tjetrin kundër tyre, fajësisht dhe armiqësisht. …” El Bekare: 85
E kështu edhe pse ehlul kitab (atyre që iu është dhënë dija dhe libri) ata ishin të varur tërësisht ndaj traditës idhujtare dhe paganëve, të cilët nuk kishin as libër dhe as parime hyjnore.

Sot jetojmë 1400 vite më pas, por me ç’duket “idhujtaria” e komplekseve të ndryshme që mbartin njerëzit në zemër, e shoqëron edhe komunitetin tonë të dalë nga flama komuniste. Ajo ka pushtuar edhe doktrinën më të shëndetshme, por edhe mendjen më të arsyeshme, duke e kthyer në një lolo cirku të sektit të vet apo të supremacisë teiste, të cilën e keqpërdor. Kjo, jo sepse doktrina është e prishur, por sepse njeriu qoftë ai selefist, gylenist apo komunist, është i një thelbi. Të njejtë e kanë fillimin por jo përfunidmin , ndërsa finaliteti I tyre më I mirë është ngadhënjimi I doktrinës . Kjo doktrinë për të cilën Muhamedi dhe shokët e tij u torturuan dhe u vranë. Si realitet madhështor (ngadhënjimi I koherencës parimore) i cili i jep autoritet maksimal njeriut ne toke por e zhvesh me pas nga çdo lloj autoriteti nëse nuk di tia kthejë këtë autoritet Dhuruesit të vërtetë të tij. Kështu për këtë Allahu thotë në Kuran: Çdo njeriu ia kemi varur në qafë llogarinë për punën e tij dhe Ne, do t’ia paraqesim Ditën e Kiametit librin, të cilin do ta gjejë të hapur (e do t’i themi): “Lexoje librin tënd! Ti mjafton sot si llogaritar kundër vetvetes!” Israa: 13-14

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re