Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika kryemadhi ka deklaruar se koronavirusi nuk e tremb, pasi si doktoreshë që është e ruan shumë higjienën personale. Në një intervistë me Skype në emisionin “Kjo Javë”, Kryemadhi deklaroi se është ajo që i bën punët e shtëpisë, pazaret dhe se po ajo ka marrë lejen e posaçme për të dalë nga shtëpia e për të shkuar në dyqan.

“Frikë nuk kam njeherë. Unë si doktoreshë që jam, s’kam frikë nga koronavirusi, dhe duke qenë se i pres thonjtë shkurtër dhe i laj duart shpesh. Mundohemi të hamë shëndetshëm, siç është përdorimi i thjerrëzave, i fasuleve, pllaqive, që kanë hekur e anti-inflamatorë, hudhrat. Shiko se po nuk e pate konsumuar shumë trupin, nuk të afrohet hiç koronavirusi”- tha Kryemadhi.

E pyetur për pazaret, Kryemadhi tha se ja ka mbaruar gjithë hudhrat shitësit pranë shtëpisë së saj. “Unë i bëj sigurisht. Sapo shoh tufat e mëdha me hudhra, i marr të gjitha. Kam aplikuar unë me leje. Të jemi të sinqertë që na kanë ndihmuar, se na bëjnë shërbime në shtëpi. Kjo është e mirë, për të ndihmuar në kohë. Por shko pyet po deshe tek ai atje. Ia kam blerë të gjitha hudhrat, unë ja marr çdo ditë”- shtoi ajo.

Kryemadhi gjithashtu bëri apel për subvencionim të grave në lidhje me detergjentin e rrobave dhe të enëve. “Le t’i subvencionojnë gratë, se u ranë duart duke larë e duke shkundur. T’u japin ilaçin e rrobave dhe të enëve të paktën”- tha Kryemadhi më tej.

Sipas kryetares së LSI-së, ai që e ka hedhur koronavirusin në Shqipëri është kryeministri Edi Rama. Ajo shtoi se ai bashkë me panikun që hapin mediat kanë sjellë virusin, pasi Shqipëria e ka kaluar pikun me kohë.

“Keni pyetur ndonjëherë se përse ka pasur shumë vdekje Shqipëria në janar? Sa vdekje kanë qenë për shkak të temperaturës së lartë dhe gripit? Jo pra s’keni pyetur, sepse Shqipëria e ka kaluar pikun kohë,”– tha Kryemadhi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re