Gazeta me ndikim izraelit Haaretz ka kontestuar punën gazetareske të kanalit saudit Al-Arabiya, duke publikuar, sipas këndvështrimit të saj, qëndrimet pro-izraelite të Al-Arabiya-s në botën arabe. Analiza titullohet: “Është një kanal sionist: a e ndryshoi 7 tetori Al Arabiya-n?”

Në analizën e saj, Haaretz zbulon se Izraeli bashkëpunon me kanalin Al Arabiya për të përcjellë mesazhe pro-izraelite për publikun arab.

Gjithashtu, Haaretz e përshkruan Al-Arabiya-n si një alternativë ndaj zërave anti-izraelitë në mediat arabe për shkak të politikave të vendosura nga princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman, dhe konfirmohet se kanali promovon narrativën e entitetit pushtues.

Me opinionin publik botëror që kthehet kundër Izraelit për luftën e shfarosjes në Gaza, bota arabe ngjan të mbështesë Izraelin në agresionin e tij, pikërisht nga media të tilla.

Ndaj, një aleancë e quajtur “Forcat kombëtare dhe islame palestineze” kanë dënuar ashpër aktivitetet pro-sioniste të kanaleve saudite Al-Arabiya dhe Al-Hadath, pretendon Haaretz.

“Forcat kombëtare dhe islame palestineze dënojnë politikën e kanaleve Al-Arabiya dhe Al-Hadath, politikë që i ktheu këto dy kanale në zëdhënëse të pushtimit sionist, sepse këto dy kanale jo vetëm që përcjellin historinë sioniste dhe justifikojnë pushtimin, ato gjithashtu i shpallin luftë mediatike të gjitha forcave të rezistencës që nga fillimi i luftës në Gaza, deri në atë masë që gazeta sioniste Haaretz theksoi vazhdimisht rëndësinë e kanalit Al-Arabiya për Izraelin”, thuhet në fillim të një njoftimi për shtyp të kësaj aleance politike palestineze.

Forcat kombëtare dhe islame palestineze i bëjnë thirrje publikut arab, si dhe politikanëve, aktivistëve dhe analistëve politikë arabë që të bojkotojnë kanalet e lartpërmendura saudite që kërkojnë të përhapin gënjeshtra në botën arabe përmes propagandës psikologjike të formuluar nga duart sioniste.

Forcat kombëtare dhe islame palestineze u bëjnë thirrje gjithashtu të gjitha palëve në territoret palestineze në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës që të tërheqin licencat e funksionimit të kanaleve të përmendura dhe të ndalojnë punën e tyre, si dhe i bëjnë thirrje Odës së Avokatëve që të ngrenë akuza në gjykatat speciale kundër Al-Arabiya-s dhe Al-Hadath-it, sepse janë, thonë ata, “partnerë në luftën e gjenocidit kundër popullit palestinez”.

 “Forcat kombëtare dhe islame palestineze i dërgojnë një thirrje të veçantë mbretit saudit Salman bin Abdulaziz, që të lëshojë direktiva për të rishikuar politikën editoriale të kanaleve të sipërpërmendura, e cila është armiqësore, jo vetëm ndaj popullit tonë palestinez dhe kauzës së tij, por edhe ndaj kauzave arabe dhe islame”, thuhet në deklaratë.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re