Mbi 560 mijë turistë kanë vizituar këtë vit qytetin e Shkodrës.
Të dhënat janë publikuar nga Administrata e zonave të Mbrojtura që menaxhon territorin natyrorë të këtij qarku.
Drejtori i kësaj administrate, Agim Dardha, deklaron se “rreth 560 500 turistë kanë vizituar qendrat tona të turizmit natyrorë, historikë dhe të aventurës për këtë vit”.
“Janë gati 35% më shumë vizitorë se vitin e shkuar”, thotë për atsh Drejtori i AdZM-së për qarkun Shkodër, Agim Dardha.
Shkodra vërtetë është një qytet që  të emocionon falës historisë, bëmave të tij në shekuj, kulturës, emrave të përveçëm që lanë gjurmët e tyre në historinë e qytetit, pozita gjeografike, etj. Ai ndodhej në rrugëkalimin e tre kulturave të fuqishme, asaj perëndimore me forcë gravitacionale Venedikun, sllavët në veri me perandorinë e tyre shkatërruese për popujt e Ballkanit dhe ajo bizantine e konvertuar më vonë në atë Osmane që sundoi deri vonë.
Edhe sot i ndesh këto kultura në qytetarinë shkodrane. I sheh ato në arkitekturë, i gjen në etnografi, në kulturën popullore,në zhargonin gjuhësor, mbetje fjalësh nga gjuhë të vjetra pushtuesish, të copëtuara rrugëve të pushtimit të kahershëm. Mbase kjo është një tjetër veçori  intriguese e këtij qyteti.
Por, Shkodra rrethohet nga një peizazh natyror tepër atraktiv për t’u vizituar.
Shkodra është qendra administrative dhe ekonomike e veriut të vendit dhe si e tillë ajo ofron edhe mundësitë më të mëdha për turizmin sezonal apo gjithëvjetor.
I vetmi qytet në Shqipëri që ka “rreth vedi” detin, liqenin, lumin, natyrën e egër, turizmin bregdetar, liqenor, historik e kulturor.
Mund të gjesh gjithçka në këtë vend, që pa u futur në të në plazhin e Velipojës, veriu i detit Adriatik, në liqenin e Shkodrës, lumin e Bunës, kalanë e famshme të Rozafës, Thethin – perlë e Alpeve shqiptare dhe shumë vende të tjera.
Po të ndjekësh rrjedhën e Bunës në të dy krahët e saj  gjelbërimi i verës është përflakur nga e kuqërremta vjeshtore, që të shoqërojnë deri në derdhjen e saj në detin Adriatik.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re