Kreu i PDK-së, Nard Ndoka e ka cilësuar kandidimin nën siglën e PS të Nadaja Çomos dhe Luljeta Bozos si përdorim i figurave të tyre nga kryeministri Edi Rama.

Në një intervistë për ‘Studio Live” në Report Tv, Ndoka tha një alibi të çuditshme pse Çomo dhe Bozo nuk duhet të ishin në politikë, pasi sipas tij ata do i kujtojnë popullit pandeminë dhe tërmetin tragjik, duke u kujtuar humbjet e shkaktuara prej tyre.

(Nadaja Çomo dhe Luljeta Bozos janë dy personazhe simbol të luftës ndaj pandemisë dhe rindërtimit pas tërmeti duke u kthyer shpresën shqiptarëve)

“Pa folur për zonjat që fusin një gjak të ri në PS, unë shoh një keqpërdorje të Ramës, pa u marr me dy zonjat e nderuara.

Rama ka thënë se tërmeti dhe pandemia vijnë njëherë në 100 vite dhe fut në parlament dy simbole që iu kujtojnë shqiptarëve pikërisht këto dy ngjarje të trishta. Me qindra familje që kanë humbur jetën nga COVID dhe mungesa e shërbimeve dhe kjo është një kosto morale e polikë për vetë Çomon, po ashtu edhe inxhinierja e nderuar e tërmetit, na kujton jo këshillat e saj por dështimin e shtetit që nuk kishte mjete për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat”, tha Ndoka.

I pyetur nëse Çomo dhe Bozo do të ishin dy emra që mund t’i bashkoheshin PD-së, Ndoka tha se nuk besonte pasi ato nuk kanë kontribute në politikë dhe se Rama po i përdor si personazhe.

“Nuk besoj që është shumë e rëndësishme, por politika ka nevojë për politikanë dhe jo personazhe për ti përdorur, këto nuk kanë dhënë  asgjë për politikën.

Ne të gjithë kemi thënë se Komiteti i Ekspertëve drejtohet nga Rama dhe Çomo e vërtetoi këtë duke veshur bluzën e partisë dhe lënë bluzën e bardhë.  Këto thjeshtë pranuan të përdoren dhe keqpërdoren nga Rama”, tha Ndoka.

Në lidhje me sulmet dhe deklaratat e ashpra të presidentit Meta se kush prek votën do i pritet dora, Ndoka i lidhi këto deklarata me faktin se atij ‘i rri ngushtë kostumi i presidentit’. Ndoka tha se Meta do të rikthehet në politikë pasi është personazh dhe nuk e mbyll  karrierën e tij me Presidencën.

“Kostumi i Presidentit Metës i rri i ngushtë dhe ai do të kthehet një ditë në politikë, nuk është një personazh që do e mbyllë thjeshtë me Presidencën.

Unë shoh një kryera shteti që po ndjek me shumë vëmendje zhvillimet politike në vend dhe sinjalet i kanë thënë të qartë, duke paralajmëruar Ramën se nëse fut duart në zgjedhje  nuk do e gëzoj mandatin”, tha Ndoka.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re