Mijëra aktivistë të klimës bllokuan një autostradë kryesore në Hagë gjatë protestave të organizuara kundër subvencioneve të larta për lëndët djegëse fosile.

Policia përdori topa uji kundër disa aktivistëve, të cilët kërcënuan se do të bllokojnë përgjithmonë autostradën, duke u zotuar se “do të qëndrojnë ose do të kthehen çdo ditë” derisa të mbarojnë subvencionet për karburantet fosile.

Shumë protestues erdhën me çadra dhe të veshur me kostume banje ose pallto të papërshkueshme nga uji në përgatitje për topat e ujit të policisë. Brirët, bilbilat dhe sirenat e policisë mund të dëgjoheshin në të gjithë qytetin ndërsa protestuesit parakaluan nëpër rrugë.

Rreth 25,000 njerëz u mblodhën nga i gjithë vendi për protestën, sipas vlerësimeve të organizatorëve, ndërsa zëdhënësi i kryebashkiakut të Hagës Robin Middel vlerësoi midis 10,000 dhe 12,000.

Nuk dihet numri i personave të arrestuar nga policia, por mes të arrestuarve është edhe aktorja holandeze Carice van Houten, e njohur më së shumti për rolin e saj si Melisandre në serialin hit “Game of Thrones”.

Sindikatat e policisë paralajmëruan në një deklaratë të premten se policimi i protestave do të kërkonte vendosjen e oficerëve të policisë “të cilat Holanda vështirë se mund ta përballojë”, me pjesëmarrësit që ndërpresin trafikun në hyrjen kryesore të Hagës.

Aktivistët thonë se qeveria holandeze ndan çdo vit rreth 37.5 miliardë euro subvencione për industrinë e karburanteve fosile.

Në një ngjarje të ngjashme në maj, policia përdori gjithashtu topa uji për të shpërndarë protestuesit, duke arrestuar më shumë se 1,500 njerëz nga gjithsej rreth 7,000 në atë kohë, raportoi AFP.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re