Skip to content

Hagë: klithje shqiptare për drejtësi

Mijëra shqiptarë përskuqën Hagën duke kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, duke besuar se ata janë të pafajshëm.

Të intervistuarit nga TCH shpërfaën dhimbjen për atë që ata e quajnë padrejtësi të shekullit me të cilën po përballen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

“Tubim jo i zakonshëm. Na ka mbledhë zëri i padrejtesisë. Mjaft me gjykime politike. Jemi këtu t’i themi udhëheqësve tanë jemi me ju.

 Vendlindja nuk ju harron. Askush nuk e tjetërson mundin tuaj. Nuk duam liri pa ju. Liria pa ju është robëri”, tha Flakë Fazllia, vajza e një dëshmori lufte.

“Mjaft më me padrejtësi. Ne nuk kemi qenë agresori dhe pushtuesi. Aktakuzë pa baza për të shkatërruar ata që kanë mbrojtur nderin e kombit shqiptarë. Qeveria e Kosovës po hesht. Ky është një turp i madh. Mos e ktheni drejtësinë në farsë”, tha Fatmir Koçi, ish-luftëtar i UÇK.

Mes tyre gjendej dhe Robert Bosch, ish-ambasador i Holandës në Kosovë, i cili lëshoi kritika të forta për pikënisjen e dhomave të specializuara dhe si u veprua më pas.

“Ne kemi patur kërkesë dhe presion nga qeveritë tona në Europë për krijimin e kësaj gjykate. Ishte e çuditshme mos të kishte serb përpara kësaj gjykate. E kam takuar Hashim Thaçin. I thash se ti do lirohesh për mungesë provash.

Gjyqi është jo serioz. Gjykatësit ndjehen komod këtu në Hagë me një jetë shumë të mirë duke marrë paga të mira dhe e bëjnë që procesi të tejzgjatet. Është e pamendueshme te mbërrish në konkluzionin se UÇK ishte një organizatë kriminale”, tha ai.

Natyrshëm fjala e ish ambasadorit prodhoi brohoritje duke shënuar një mbyllje siç e meritonte ky tubim madhështor.

“Boll padrejtësive me çlirimtarët e Kosovës”, ishte mesazhi që u përcoll fuqishëm nga masa e madhe e shqiptarëve kundrejt një procesi që bie era gjeopolitikë e jo drejtësi e mirëfilltë.