Samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor po vijon në ditën e dytë të tij duke dhënë sinjale shumë pozitive për zhvillimin e mëtejshëm të rajonit. Ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen gjatë këtij takimi në Poznan të Polonisë, është vlerësimi pozitiv që i është dhënë Maqedonisë së Veriut.
Vitin e ardhshëm ajo do të jetë organizatore e samitit të shtatë, së bashku me Bullgarinë. Dy shtetet do të kenë rastin të dëshmojnë më së miri në praktikë, atë që mbështet procesi i Berlinit: aftësinë bashkëpunuese mes vendeve të rajonit dhe BE-së. Komisioneri i zgjerimit, Johannes Hahn, kërkoi sërish nga BE-ja që të mbajë premtimin dhe të hapë negociatat për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
“Unë vazhdoj të qëndroj prapa rekomandimit tim për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe e pres që në tetor që Këshilli i BE-së të ndjekë rekomandimin tonë edhe për çeljen e negociatave”, tha Hahn.
Edhe ministri gjerman i shtetit për Evropën, Michael Roth gjatë një konference shtypi në Poznan, theksoi në mënyrë të veçantë arritjet e Maqedonisë së Veriut dhe kërkoi që ajo të shërbejë si shembull për të zgjidhur edhe problemin kryesor aktual të rajonit: normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.
“Ka shumë gjëra që mund të bëhen, nëse politikanët e kanë vullnetin dhe janë në gjendje të tejkalojnë stereotipat”, tha Roth
Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila sot takohet në Poznan ndër të tjera edhe me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe kryeministren serbe, Anna Brnabiç, kishte theksuar në prag të samitit rolin shembullor të Maqedonisë së Veriut për zgjidhjen e konflikteve në rajon.
Edhe kryeministri Edi Rama do të jetë e samitit të nivelit të lartë këtë të premte.