Nga Armando Meta

Presidentja e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitarović ndodhet për vizitë shtetërore në Tiranë. Shumica e shqiptarëve figurën më të lartë të shtetit kroat patën rastin ta njohin jo nëpërmjet kësaj vizite, as kur ajo fitoi në zgjedhje për postin e Presidentit të Kroacisë, por nëpërmjet mbështetjes pa kufi që ajo i dha ekipit luftarak kroat në botërorin rusi 2018. Një portretizim të sintetizuar të saj bëri javaneës.al nëpërmjet një video, ku nëpërmjet disa penelatave nënvizoheshin disa prej reformave më kyçe që ajo ka bërë në Kroaci në drejtim të uljes së pabarazisë në paga mes qytetarëve kroat dhe niveleve më të larta të qeverisë, uljes në minimum të privilegjeve të shtetarëve kroatë etj. Në këtë kuptim arritjet e saj mund të vlerësohen për kombin e saj. Natyrisht që ajo është edhe një njohëse e mirë e Shqipërisë dhe nuk harroi të nënvizonte edhe mbështetjen e vendit tonë për Kroacinë gjatë konfliktit me Serbinë, duke nënvizuar se “Shqipëria ishte një vend mik për Kroacinë, atëhere kur ajo kishte shumë pak miq”.

Por në Shqipëri vizita e saj po intepretohet nga Presidenti Ilir Meta, sikur homogija e tij kroate ka bërë gjëra për të cilat shqiptarët duhet të ndihen në borxh dhe se ai për këto merita të saj ka vendosur ta dekorojë me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”! Si të mos mjaftojë kjo edhe Bashkia e Beratit që drejtohet nga LSI, parti kjo e krijuar po nga Meta, ka vendosur ta shpallë Presidenten kroate “Qytetare Nderi”! Për të qenë realist është pak e pakuptueshme se çfarë ka bërë presidentja kroate për Beratin që ajo ta meritojë një nder të tillë?

Në fakt nuk është faji i saj. Absdolutisht ajo nuk mund të fajësohet për këtë lloj butaforie me të cilat shpërndahen dekoratat në Shqipëri dhe jepen titujt “Qytetarë Nderi” nëpër bashki. Ky është një problem tipik shqiptarë, ku servilosja ka bërë që të humbasë çdo lloj kriteri vlerësues për titujt e dekoratat që jepen. Presidenca është në krye të listës për këtë shpërdorim masiv të vlerës që kanë dekoratat, duke i kthyer tani ato si fletët e lavdërimit që jepeshin nëpër aksione para viteve 90.

Pas shpërdorimit masiv të ish Presidentit Nishani me të drejtën për të dhënë dekoratat, u ngrit fuqishëm opinioni që Presidentit t’i përcaktoheshin qartazi kriteret e dekorimeve, për të mos e kthyer këtë proces mjaft të rëndëishëm në qesharak. Natyrisht që Meta ka qenë më dorështrënguar në këtë drejtim. Por edhe ai duket se është përfshirë nga emocionet për t’i bërë nderet mikut deri në fund edhe pse miqtë s’është se kanë bërë ndonjë gjë të madhe për Shqipërinë apo një bashki për t’u dhënë dekorata e tituj, që në të vërtetë venë në pozitë edhe vetë mikun.

Kroacia është një nga vendet më mbështetëse të Shqipërisë në rajon në rrugën e integrimit. Kjo ka qenë një politikë konstante e qeverisë kroate, pavarësisht se kush ka qenë President apo kryeministër. Nga ana tjetër edhe Shqipëria në 2 dekada ka dëshmuar mbështetje për Kroacinë në të gjitha etapat e saj të shtetformimit si komb i shkëputur nga ish- Jugosllavia. Ndaj bufonatat me dekorata janë krejt të tepërta e të pavend. Hajde gjeje tani se përse Berati do ta shpallë Presidenten kroate “Qytetare Nderi”?!/ javanews

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/
autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re