Gjykata Administrative e Shkallës së Parë ka rrëzuar për herë të dytë padinë e ngritur nga banorët e 11 fshatrave në Bashkinë e Matit për HEC-et që kanë nisur të ndërtohen në 2 lumenj, Flimi dhe Uraka.

Sot u dha vendimi përfundimtar nga Gjykata e cila rrëzoi kërkesën e banorëve për ndërprerjen e punimeve dha anulimin përfundimtar të vendimit për ndërtimin e HEC-ve në këtë zonë. Vendi ku po vijon pandërprerë procesi i ndërtimit të tyre është zonë natyrore e mbrojtur, dhe sipas banorëve do të sillte dëmtimin e ujërave, që për ta janë jetike.

Firma që po ndërton HEC-et quhet “Seka Hidropower” e cila ka mbledhur edhe disa firma selektive në Mat dhe Mirditë ku pala paditëse pretendon se janë vetëm disa kryepleq dhe pakicë. Në fundin e seancës ambientalisti Sazan Guri u shpreh se policia është vënë në shërbim të biznesmenëve, dhe është vënë kundër qytetarëve.

“Ti ministri i brendshëm të ishe treguar njëherë të vetme prind, vëlla”, u shpreh Guri, ndërkohë që reagimi i një prej banorëve të Zall Gjoçajt ka qenë dhe më i ashpër.

“Hajduta, bandita, fëmijët tanë i kanë gati valixhet që të largohen, na shkatërruat jetën, turp të keni. Po na merrni jetën, turp gjykata, hajdutër, po na merrni shpirtin, po na merrni oksigjenin”, ishin disa nga thirrjet e banorëve, që ishin mbledhur përpara gjykatës.

“Jeni shitur te mafia, ajo zonë nuk duhet të preket, hajde shihni se çfarë po bëni, jeni të degjeneruar. Po bëjmë 300 kilometra rrugë për të ardhur këtu, kjo nuk është qeveri, që shkatërron njerëzit e vetë. Shikoni mor gjyqtarë të korruptuar, mor të degjeneruar”, vijonin thirrjet e qytetarëve.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re