Kryeinistri Rama ka mohuar që hakerat të kenë shantazhuar apo gjobitur qeverinë me 30 milionë euro për të dhënat e sistemeve të shërbimeve qeveritare.

 

Pas disa informacioneve të publikuara në disa media, Rama ka reaguar menjëherë duke e konsideruar si shpifje haluçinante.

 

Rama ka sqaruar edhe njëherë se bëhet fjalë për një sulm nga jashtë vendit dhe jo një bandë dosido që vendos gjoba.

 

Reagimi i Ramës:

AKSHI dhe një skuadër e superspecializuar ekspertësh të huaj, po luftojnë natë e ditë për rimëkëmbjen e plotë në kohë rekord të sistemeve pas zmbrapsjes së sulmit. Eshtë e turpshme që të gënjehet publiku në këtë farë feje, cilatdo qofshin motivet e kësaj vale shpifjesh haluçinante!

Lajmet për një gjobë 30 milionë euro nga hakerat apo për shkatërrimin e të dhënave janë krejt të rreme! Qeveria ka informuar aq sa mund të informojë, në ndërkohë që lufta nuk ka mbaruar dhe pas hakerave qëndron një shtet tjetër, jo një bandë dosido digjitale që merret me gjoba!

Gjyqet me median për shpifje, përfshirë edhe shpifjet që përhapin panik, nuk janë në praktikën e qeverisë sonë! Prandaj i bëj thirrje publike TCH të ndalë menjëherë valën e shpifjeve dhe përhapjen e panikut lidhur me pasojat e agresionit kibernetik mbi Shqipërinë!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re