Profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço thotë se hakerat iranianë kanë penetruar në faqen zyrtare të Presidentit të Republikës, kur në krye ishte Ilir Meta, përmes portave të thjeshta të sistemit. Në një intervistë për Abc News, Karamuço u shpreh se ka një problem shumë të madh me protokollet e sigurisë mbi komunikimet elektronike të kryetarit të shtetit, të drejtuesve kryesorë apo edhe të këshilltarëve të kabnitetit.

Sipas tij, ata, shpeshherë ngatërrojnë domainin zyrtar me email-e të zakonshme dhe kur të dhënat kryqëzohen, hyn një virus. Kjo e bën më të thjeshtë për hakerat që të futen në sisteme dhe të kenë informacionet.

“Mesa po kuptohet, patjetër që ka qenë një nga institucionet më të rëndësishme të shtetit që është sulmuar. Është sulmuar nga portat nga më të thjeshtat sepse ne kemi një problem shumë të madh me protokollet e sigurisë mbi komunikimet elektronike të kryetarit të shtetit, të drejtuesve kryesorë, të këshilltarëve të kabinetit, që shpeshherë ngatërrojnë një domain, që është domain zyrtar me email-e të tjera, të zakonshme, personale.

Kur ato fillojnë dhe kryqëzohen midis të dhënave, marrje dhe dhënie të informacioneve, hyn një virus. Nga ai virus, çdo gjë që ti komunikon, më pas kalon dhe infekton të gjithë kabinetit, së fundmi të vetë kabinetit të Presidentit të Republikës. Janë të dhëna shumë sensitive që kanë dalë, bëhet fjalë për të dhëna që kanë të bëjnë me Këshillin të Sigurisë Kombëtare, me agjendën ditore, analizën gjeostrategjike, me çështjet protokollare”, theksoi ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re