Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka kaluar për gjykim dosjen ndaj tre të akuzuarve për hakerimin e kompjuterëve të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.
Sipas GJKKO-së, për gjykim do të shkojnë ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili, si dhe Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj.
Njoftimi:
Në seancën e datës 06.03.2026 (seanca paraprake), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Paulin Çera, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve dhe bazuar në nenet 328, 329, 331, 332, 332/a, 332/b, 332/dh, 332/e, 332/ë, 332/g dhe 332/gj të Kodit të Procedurës Penale, me vendimin nr. 65, datë 06.03.2026, vendosi:
Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 277/1/1 të vitit 2025, në ngarkim të të pandehurve:
Arnold Rrokaj, i akuzuar për veprat penale “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”, paragrafi i dytë, dhe “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryera në formën e posaçme të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 192/b paragrafi 2, 293/a paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal;
Zambak Gjoni, i akuzuar për veprën penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 293/a paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal, së bashku me kërkesën e tyre për të proceduar me gjykim të shkurtuar;
si dhe Agim Ismaili, i akuzuar për veprën penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 293/a paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal, për të proceduar me gjykim të zakonshëm./Shqip
