Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, në një prononcim për Fax Neës nga Gjirokastra, tha se zjarret në këtë qark janë në kontroll, ndërkohë që situata vijon të mbetet kritike në Karaburun, ku të gjithë përpjekjet po fokusohen që flakët të mos hyjnë në Llogara.

Sa i takon ndërhyrjes nga ajri, Çako tha se Holanda dhe Çekia janë ofruar që të ndihmojnë Shqipërinë, por nuk mundi të thoshte me saktësi nëse helikopterët do të mbërrinin sot në vendin tonë.

Sipas Çakos mbërritja e tyre do të varet nga situata që do të kenë zjarret gjatë ditës. I pyetur në lidhje me helikopterin ushtarak që u përdor dje për të transportuar Edi Ramën nga Himara në Vermosh dhe anasjelltas, Çako tha se ai nuk mund të përdoret për shuarjen e zjarreve, pasi jo të gjithë mjetet ajrore kanë vend të përshtatur për mbajtjen e kovës me ujë.

“Mund të them që janë helikopterë të posaçëm që operojnë me kova, jo çdo mjet mund të ketë kova. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me partnerët, të cilët kanë vënë në dispozicion mjete ajrore. Duke nisur nga sot shteti holandez dhe ai çek janë shprehur të gatshëm që të sjellin helikopterë. Holanda ka shprehur gadishmërinë për të sjellë 4 helikopterë, ndërsa Çekia 1, por mbërritja e tyre është në varësi të situatës së zjarreve këtu”, tha Çako.

Sa i takon viktimës së parë nga zjarret në vend, Çako tha se Andrea Haxhiaj humbi jetën teksa po përpiqej që të shuante flakët që kishin mbërritur në bahçen e tij, ndërsa apeloi të gjithë qytetarët që të tregohen të kujdesshëm, dhe të evakuohen në rastet kur do të jetë e nevojshme.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re