NIKOLETA KOVAÇI/ Emri i tij doli nga një dëshmi e dhënë nga një i penduar i drejtësisë. U tha se ishte investues për realizimin e dy atentateve si shenjë hakmarrjeje në lidhje me një vrasje që kishte ndodhur 12 vjet më parë në qytetin e Vlorës, por Leonard Luzi mundi t’u shpëtonte prangave dhe të largohej në drejtim të Europës.

Por, pas hetimit të Prokurorisë së Posaçme, bazuar në dëshminë e personit që ishte pajtuar për të kryer vrasjet, Interpol e gjurmoi vlonjatin duke i vënë prangat në Spanjë dhe paralelisht duke vijuar hetimet për një nga atentatet më të kushtueshme në vendin tonë. Për fatin e tyre të dy shënjestrat arritën të shpëtonin, për shkak se atentatori u kap në një lokal në Vlorë, i gatshëm për të nisur sulmin, por ai u arrestua ende pa lëvizur nga kafene ku po pinte kafen e mëngjesit. Atentatori u bë i penduar, pasi u tha se u kap me armën e gatshme për qitje dhe prej dëshmisë së tij dolën edhe shumë histori të tjera, të cilat SPAK vijon t’i verifikojë.

SHQYRTIMI NË APEL

Dje u bë me dije zyrtarisht se Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë ndaj 48-vjeçarit nga Vlora, Leonard Luzi, i cili mban dhe mbiemrat Zejno dhe Sejno, teksa ndryshe njihet me nofkat si “Nard Çami” ose “Daku”. Ai u arrestua vitin e kaluar në Spanjë, në kuadër të operacionit “Rekrutuesi”, pas bashkëpunimit mes autoriteteve të dy vendeve, pasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK, teksa akuzohet si organizatori i atentatit të mbetur në tentativë ndaj Inez Hajrullas, i njohur me nofkën “Sakati” dhe Ervis Matodashajn i njohur me nofkën “Qorri”. Mbi Leonard Luzin rëndojnë akuzat për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”. Sipas hetimeve të SPAK, Leonard Luzi kishte rekrutuar vrasësin me pagesë Amarildo Nikolli alias Xhanej, i njohur me nofkën “Shkodrani” për të vrarë në qytetin e Vlorës, Inez Hajrullan dhe Ervis Matodashajn”. Për të kryer këtë vrasje, ata janë ndihmuar edhe nga të bashkëhetuarit Erjon Zejno dhe Muharrem Koroveshi. Në dosjen hetimore thuhet se “Shkodrani” do të paguhej 500 mijë euro në total, nga 250 mijë euro për secilin, për të vrarë “Sakatin” dhe “Qorrin”. Leonard Luzi është kushëri nga ana e babait me Erigert Zejno, i vrarë më datë 22 mars të vitit 2013, në lagjen “11 Janari” në Vlorë dhe vrasja e Inez Hajrullas dhe Ervis Matodashajn do të kryej për hakmarrjen e tij, si dhe për të marrë kontrollin e lojërave të fatit në Vlorë. Pagesa do të kryhej nga një person në Dubai. Por vrasjet nuk arritën të kryheshin, pasi Amarildo Nikolli alias Xhanej u arrestua me pistoletë me fishekë në fole, gati për qitje, teksa më pas ai u kthye në të penduar të drejtësisë.

KOMUNIKIM PËR MEDIAN

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Miliana Muça (anëtare) dhe Igerta Hysi (anëtare), më datë 19.05.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 20 akti, datë 19.02.2025 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit/të pandehurit Leonard Luzi (Z., S.), kundër vendimit nr. 04, datë 10.01.2025të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:

1.Deklarimin fajtor të të pandehurit L.L. (Z., S.), për kryerjen e veprës penale të “Grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 333/a paragrafi i parë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 4 (katër) vjet burgim.

2.Deklarimin fajtor të të pandehurit L.L., për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” të shtetasve E.M., i njohur me pseudonimin “Q.” dhe I.H., i njohur me shkurtim emri “I.”, ose me nofkën “***”, në bashkëpunim të veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal me të pandehurit A.N., dhe M.K., të parashikuar nga nenet 80 dhe 28/4, të Kodit Penal, dhe, në bazë edhe të nenit 334 paragrafi i parë i Kodit Penal, dënimin e tij me 8 (tetë) vite burgim.

3. Deklarimin fajtor të të pandehurit L.L., për veprën penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit” kryer në bashkëpunim të veçantë në formën e “grupit të strukturuar kriminal” me të pandehurit A.N., dhe M.K., parashikuar nga nenet 278/1, dhe 28/4, të Kodit Penal, dhe, në bazë edhe të nenit 334 paragrafi i parë i Kodit Penal, dënimin e tij me 10(dhjetë) vite burgim./Gazeta Panorama 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko