Skip to content

Halit Valteri kërkon shkarkimin e Metës, akuza mazhorancës: I futët emërimet në Gjykatën Kushtetuese për ngatërresë

Deputeti i opozitës së re Halit Valteri është shprehur se mazhoranca nuk pati këllqe për shkarkimin e Ilir Metës.

Valteri tha se mazhoranca e ka ndryshuar objektin e Komisionit Hetimor që u ngrit për shkarkimin e Metës për dekretin e zgjedhjeve të 30 Qershorit, duke e komplikuar situatën edhe me përfshirjen në hetim të emërimeve në Gjtkatën Kushtetuese.

“Për shkak se nuk ishit të aftë ta çonit Ilir Metën drejt shkarkimit e ngatërruat atë me një çështje tjetër proceduriale, që nuk ka të bëjë aspak me firmën e tij për 30 Qershorin. Kush mban përgjegjësi për punën që ky Komision ka bërë prej 12 muajsh, ne kemi argumentat tona në këtë raport sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias”, u shpreh Valteri.

Ditën e sotme, Komisioni Hetimor i ngritur për shkarkimin e Presidentit Meta pas përplasjes Presidencë-Mazhorancë në lidhje me zgjedhjet e 30 qershorit dhe emërimin e anëtarëvë të Gjykatës Kushtetuese, pritet të dalë me një raport final mbi gjetjet e kryera nga ky komision.

Ndërsa e para ka referuar relatorja për mazhorancën Klotilda Bushka ajo ka deklaruar se ky komision ka gjetur shkelje nga ana e Presidentit të Republikës Ilir Meta i cili me veprimin apo mosveprimin e tij ka cënuar Kushtetutën dhe disa ligje të shtetit shqiptar, por që nuk janë shkak për shkarkimin e tij.

“Nuk gjetëm shkelje të mjaftueshme për të shkarkuar presidentin Ilir Meta. Shkelje ka pasur por nuk sollën pasojë përveç disa konflikteve në vend. Në gjykimin tonë shkeljet nuk justifikojnë shkarkimin. Në lidhje me zgjedhjet e 30 qershorit, kemi konstatuar se presidenti ka vetëm një detyrë: vetëm caktimin dhe jo anulimin. Kjo kompetencë ushtrohet vetëm një herë sipas nenit 92 pika gj dhe nenit 94 të Kushtetutës si dhe Kodit Zgjedhor.

Në lidhje me shfuqizimin e dekretit për datën e zgjedhjeve vendore është analizuar gjithë praktika dhe është vënë në dispozicion dhe arsyetimi nga Presidenca por sipas gjetjeve ato nuk justifkojnë një shtyrje dhe nuk ka bazë ligjore.

Me shtyrjen dhe anulimin e zgjedhjeve është shkelur e drejta për të zgjedhur, anulimi dhe moscaktimit i një date e shkel këtë parim dhe të drejtë”, u shpreh relatorja Bushka.

/faxweb