Nga: Floriar Arapi

Të premten u detyrova që të mos i çoj fëmijët në shkollë. Që disa ditë më parë kishin filluar në mënyrë euforike përgatitjet për të festuar Halloween. Të diskutosh me fëmijët për festa apo t’u shpjegosh nëse duhet apo jo, është e vështirë ose e kotë. Fëmijët nëse shohin festa lojra dhe argëtime është e pamundur ti privosh. Po nëse kjo kultivohet, ajo bëhet pjesë e kulturës së tyre që prej fëmijërisë dhe më pas ngelet dhe bëhet pjesë e kulturës së një populli. Në dekadat e fundit, përtej festave tradicionale, disa festa kanë hyrë dhe janë bërë pjesë e kulturës sonë në saj të imponimit mediatik ose politik, festa të cilat prindërit tanë nuk i kanë festuar. Viti i Ri, është një festë e tillë. Ai nuk ka qenë festuar deri sa komunizmi ndaloi fenë dhe pas kësaj komunizmit iu desh që të mbushte mungesën e festave fetare me një festë gjysëm laike. Ditëlindja ka qenë gjithashtu një festë që nuk festohej nga prindërit tanë ndërsa tani festohet gjerësisht. Me hyrjen e demokracisë, filluan festa si Shën Valentini, Halloween etj. Për sa i përket Halloween, sikurse dihet ajo është një festë pagane e skocezëve dhe irlandezëve, e cila më pas miksohet dhe përvetësohet nga krishtërimi duke i ndërruar emrin në All Hallows eve, (dita e të gjithë shenjtorëve), praktikë e njohur kjo e krishtërimit, që u ndryshonte emrin festave dhe i bënte pjesë të tyre, njëlloj sikurse është vepruar psh me Krishtlindjet.

Përtej origjinës së saj, në fakt për momentin kjo festë shpreh më së shumti ndikimin e kulturës amerikane në botë dhe shpërndarja e saj në 2-3 dekadat e fundit është eskluzivisht prej saj. Mbase nuk do ishte gabim edhe të quhet edhe festa e amerikanizmit.

Shqetësuese është se kjo festë festohet me shëmtimin e njerëzve dhe më së shumti këtë e aplikojnë, fëmijët dhe të rinjtë që janë pjesa më e bukur e shoqërisë. Shëmtimi i njerëzve bëhet në format më makabre, duke imituar të vdekurit, kafkat apo imazhet e shejtanëve të mallkuar. Po të vesh në punë mendjen dhe të shohësh se c’po bën, besoj që asnjë njeriu nuk do ti pëlqej veprimi i tij, por të gjithë këtë, njerzit e kalojnë me humor dhe lojë.

Një pikë tjetër për të kundërshtuar këtë festë është humbja e identitetit. Kulturalisht njeriu është çka feston. Nëse ne do të humbin atë që kemi tradicionale tonën, do të kthehemi në njerëz pa identitet. As amerikanë e as irlandezë nuk bëhemi dot, se minimalisht nuk jemi në Amerikë, po vetëm do bëhemi kopjues dhe imitues. Dmth do humbim origjinalitetin dhe bëhemi kopje, ose fallco.

Të gjitha këto duhet ta bëjnë këtë festë aspak të mirëpritur dhe duhet të marrin masa për largimin prej saj. Edukimi i femijëve me vlerat më të mira dhe moral, është detyrim i prindërve kështu që mendoj që duhet ngritur zëri dhe duhet kundërshtuar promovimi i festave të tilla të shëmtuara.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re