Lëvizja e rezistencës palestineze Hamas dënoi vizitën e ministrit të Jashtëm të Bahreinit Abdullatif bin Rashid al-Zeyyani në Izrael dhe kërkesën e tij për të hapur një ambasadë në këtë vend.
Zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem, në një deklaratë me shkrim e përshkroi qëndrimin e Bahreinit si një “gabim kombëtar”.
“Ne si arabë dhe në aspektin moral, nuk e pranojmë dhe e dënojmë vizitën e ministrit të Jashtëm të Bahreinit në Izrael dhe bisedat e tij miqësore me udhëheqësit kriminelë dhe pushtues”, tha Qassem.
Qassem tha se kërkesa e ministrit të Jashtëm Zeyyani për të hapur një ambasadë në Izrael pasqyron këmbënguljen e tij për thellimin e “gabimit kombëtar” të kryer nga regjimi i Bahreinit duke nënshkruar marrëveshjen e normalizimit.
Duke deklaruar se kërkesa për të hapur një ambasadë në Izrael është kundër interesave kombëtare të popullit të Bahreinit dhe vlerave të komunitetit arab, Qassem tha se vizita e Zeyyanit ndodhi në të njëjtën kohë me sulmin ndaj vendbanimeve palestineze në Kuds dhe se kjo situatë nënkupton që Bahreini është partner në krimet dhe sulmet e Izraelit.
Ndryshe, ministri i Jashtëm i Bahreinit, Zeyyani, i cili realizoi vizitën e tij të parë në Izrael dje pas nënshkrimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve muajin e kaluar, i përcolli kërkesën e tij qeverisë së Tel Avivit për të hapur një ambasadë në Izrael.
Duke theksuar se kërkesa e Izraelit për të hapur një ambasadë në Manama, kryeqytetin e Bahreinit, është pranuar, Zeyyani deklaroi se ky hap do të kontribuojë në zhvillimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
