Ndërsa palestinezët po llogarisin dëmet dhe shkatërrimin e shkaktuar nga ushtria izraelite, Hamasi thotë se gjithashtu edhe bota duhet të bëjë të njëjtën gjë.

Hamasi e ka ftuar Elon Musk që të dëshmojë personalisht shtrirjen e dhunës dhe shkatërrimit të grumbulluar në Rripin e Gazës nga Izraeli.
Ftesa nga zyrtari i lartë i Hamasit Osama Hamdan erdhi të martën. Një ditë më parë, miliarderi i teknologjisë, i cili zotëron platformën e mediave sociale X, kishte vizituar një kibutz (vendbanim izraelit) të shënjestruar nga persona të armatosur të Hamasit gjatë sulmit të 7 tetorit dhe deklaroi angazhimin e tij për të bërë gjithçka që ishte e nevojshme për të ndaluar përhapjen e urrejtjes.

Hamdan i bëri thirrje Musk, i cili së fundmi takoi kryeministrin dhe presidentin e Izraelit, të vizitojë gjithashtu Palestinën dhe të ketë një perspektivë më të rrumbullakosur.
“Ne e ftojmë atë të vizitojë Gazën për të parë masën e masakrave dhe shkatërrimeve të kryera kundër popullit të Gazës, në përputhje me standardet e objektivitetit dhe besueshmërisë,” tha Hamdan në një konferencë për shtyp në Bejrut.
“Brenda 50 ditësh, Izraeli hodhi më shumë se 40,000 ton eksploziv në shtëpitë e banorëve të pambrojtur të Gazës”, shtoi zyrtari.
Musk kohët e fundit është përballur me kritika se platforma e tij e mediave sociale është e mbushur me antisemitizëm dhe retorikë të bardhë nacionaliste që promovon dhunë dhe urrejtje.
Gjatë vizitës së tij në Izrael, manjati i mediave sociale dhe teknologjisë shprehu tronditjen kur pa kibutzin e shkatërruar të Kfar Aza-s, duke thënë se Izraeli nuk kishte “zgjidhje tjetër” përveçse të eliminonte Hamasin.
Musk gjithashtu arriti një marrëveshje sipas së cilës “njësitë satelitore Starlink [do të] operoheshin në Izrael vetëm me miratimin e Ministrisë izraelite të Komunikimeve, duke përfshirë Rripin e Gazës”, një kthesë e mprehtë nga mendimi i tij i mëparshëm se ai mund të siguronte Starlink për të përmirësuar komunikimet në Gaza mes ndërprerjeve të shumta të telekomunikacionit.

Zyrtari i Hamasit gjithashtu i bëri thirrje SHBA-së “të rishikojë marrëdhëniet me Izraelin dhe të ndalojë furnizimin e tyre me armë” dhe që komuniteti ndërkombëtar të dërgojë shpejt ekipe të specializuara të mbrojtjes civile për të ndihmuar në nxjerrjen e mijëra trupave nga poshtë rrënojave.

Burimi: Al Jazeera

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re