Anëtari i Byrosë Politike të Hamasit, Gazi Hamad, deklaroi se janë të gatshëm të lirojnë ushtarët izraelitë të kapur nëse Izraeli liron të gjithë të burgosurit palestinezë në burgje.

Në një program në televizionin Al Jazeera, Hamad bëri vlerësime rreth marrëveshjes së shkëmbimit të të burgosurve të arritur midis Izraelit dhe Hamasit dhe ndërhyrjes humanitare.

Duke u shprehur se janë të kujdesshëm për të respektuar marrëveshjen e arritur, Hamad tha se procesi për shkëmbimin e të burgosurve dhe pezullimin e armiqësive aktualisht është në rrugë të mbarë.

Ai theksoi se kamionët e ndihmës nuk kanë arritur ende në veri të Gazës dhe se ata janë në kontakt me Kombet e Bashkuara (OKB) për këtë çështje.

Duke njoftuar se ata po punojnë gjithashtu për të zgjatur pauzën humanitare, e cila përfshin një pauzë 4-ditore të konfliktit, Hamad tha: “Ne po përpiqemi të bëjmë gjithçka për të zgjatur armëpushimin dhe për të ndaluar sulmet (e Izraelit). Ne po mbajmë takime me ndërmjetësuesit për të adresuar këtë çështje dhe për të punuar për zgjatjen e armëpushimit”.

“Ne mund të lirojmë më shumë të burgosur civilë”

“Ne jemi në kontakt me ndërmjetësit për ta zbatuar këtë (zgjidhjen e çështjes së të burgosurve izraelitë) në terren. Ne jemi të interesuar të lirojmë më shumë të burgosur. Sigurisht, kjo varet nga ajo që ndodh në terren. Ne nuk e kemi problem të lirojmë më shumë të burgosur”, tha Hamad.

Duke iu përgjigjur pyetjes për lirimin e ushtarëve izraelitë, Hamad tha: “Nëse Izraeli liron të gjithë robërit palestinezë, ne jemi të gatshëm të lirojmë ushtarët izraelitë të robëruar që kemi”.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re