Udhëheqësit e lëvizjes Hamas u zotuan të sfidojnë në një tubim që shënon 35-vjetorin e themelimit të saj, si një lloj përgjigje ndaj faktit se deri në fund të muajit do të formohet një nga qeveritë e krahut të djathtë e vijës më të ashpër në historinë e Izraelit.

Duke folur para një deti me flamuj të gjelbër në Gaza, Yahya Sinwar u tha palestinezëve se do të përballeshin me “konflikt të hapur” me Izraelin.

Ai beson se kompleksi i xhamisë Al-Aksa në Jerusalem, një vend i nderuar si nga myslimanët ashtu edhe nga hebrenjtë, të cilët e njohin atë si Mali i Tempullit, kërcënohet me shkatërrim nga “qeveria talmudike, fashiste, sioniste, e krahut të djathtë” dhe se Hamasi do të përgjigjet me forcë.

“Ne do të vijmë tek ju me një numër të pafund raketash dhe ushtarësh,” kërcënoi Sinwar, duke akuzuar koalicionin e kryeministrit Benjamin Netanyahu se ka nxitur një “luftë fetare”.

Vihet re se tubimi vjen ndërsa Netanyahu përgatitet të marrë qeverinë si kreu i një koalicioni që bashkon partinë e tij Likud me partitë fetare të vijës së ashpër.

Hamasi, i formuar në vitet 1980, mori pushtetin në Gaza pasi mposhti rivalin Fatah në zgjedhjet e vitit 2006 dhe ka mbajtur një armiqësi të dukshme ndaj Izraelit.

Megjithatë, që kur kjo lëvizje zhvilloi një luftë dhjetë-ditore kundër Izraelit, e cila përfundoi me një armëpushim më shumë se një vit më parë, marrëdhëniet midis dy palëve në terren kanë qenë, nëse jo paqësore, atëherë të paktën nën kontroll, sipas Reuters.

Ai thekson se pavarësisht dhunës në Bregun Perëndimor, e cila mori të paktën 165 jetë palestinezë, Hamasi nuk ndërhyri dhe qëndroi i heshtur në gusht, kur avionët izraelitë bombarduan vendet e lidhura me grupin e Xhihadit Islamik në Gaza.

Sfida më e madhe e Hamasit është në shtëpi, për shkak të situatës së keqe ekonomike dhe shkallës 50 për qind të papunësisë në Gaza, ndaj he lëvizja është nën presion në rritje për të përmirësuar cilësinë e jetës për 2.3 milionë palestinezët që janë grumbulluar në qytet për 15 vitet e fundit për shkak të bllokadës izraelite.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re