Hamasi njoftoi se mirëpret vendimin e Kombeve të Bashkuara (OKB) në lidhje me territoret palestineze të pushtuara nga Izraeli.

Zëdhënësi i Hamasit, Jihad Taha dha një deklaratë me shkrim lidhur me vendimin e marrë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për t’i dhënë fund të gjitha aktiviteteve të Izraelit që synojnë të ndryshojnë statusin, karakterin dhe strukturën demografike në territoret e pushtuara palestineze dhe që nuk përputhen me të drejtën ndërkombëtare.

Taha shprehu kënaqësinë për vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për të përkujtuar 75 vjetorin e “Nakba”-s. Ai tha se vendimi i OKB-së nënkupton pranimin e tragjedisë në të cilën populli palestinez u dëbua nga trojet e tij ku shumë prej palestinezëve u bënë refugjatë.

Taha falënderoi vendet që votuan pro rezolutës dhe mbështetën çështjen palestineze dhe kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar të bëjë përpjekje serioze për t’i dhënë fund pushtimit dhe për të mbështetur luftën e popullit palestinez.

– Çfarë kishte ndodhur?

Në seancën e mbajtur më 30 nëntor në AP të OKB-së u miratuan 5 projekt-rezoluta për çështjen e Palestinës dhe Lindjen e Mesme.

Në AP të OKB-së u miratua projekt-rezoluta për Izraelin për t’i dhënë fund të gjitha aktiviteteve që synojnë ndryshimin e statusit, karakterit dhe strukturës demografike të territoreve të pushtuara palestineze dhe që nuk përputhen me të drejtën ndërkombëtare.

Në kuadër të rezolutës së titulluar “Zgjidhja paqësore e çështjes palestineze”, Asambleja e Përgjithshme deklaroi se Izraeli duhet të ndalojë të gjitha aktivitetet e vendbanimeve, sekuestrimin e tokave dhe prishjen e shtëpive dhe bëri thirrje që të ndalojë ndalimet dhe arrestimet arbitrare.

Projektligji u miratua me 153 vota pro dhe 9 kundër. Kanadaja, Hungaria, Izraeli, Liberia, Ishujt Marshall, Mikronezia, Nauru, Palau dhe SHBA-ja votuan kundër projektligjit.

Me vendimin e titulluar “Rrafshnalta e Golanit”, thuhet se zbatimi i ligjeve të Izraelit në Lartësitë e Golanit, të pushtuara në vitin 1967 nuk kanë asnjë dispozitë dhe vlefshmëri ligjore.

Në një projekt-rezolutë tjetër të miratuar në seancë, Sekretariatit për të Drejtat e Palestinezëve iu kërkua t’i kushtonte aktivitetet e tij në vitin 2023 përkujtimit të 75-vjetorit të “Nakba”-s (Katastrofës). Ndër këto aktivitete u kërkua të organizohet aktivitet i nivelit të lartë me këtë temë më 15 maj 2023.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re