Skip to content

Hamza: PDK-ja nuk e voton Sejdiun për president!

640 0 capturepng 1788261010

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se PDK-ja nuk do ta mbështesë Bekim Sejdiun për president të Kosovës.

Hamza tha se qëndrimi i PDK-së mbetet i pandryshuar dhe se partia e tij nuk është pjesë e marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidaturën e Sejdiut.

“Qëndrimi i PDK-së është i qartë, nuk jemi pjesë e marrëveshjes dhe nuk e votojmë zotërinë Sejdiu për president”, deklaroi Hamza për KosovaPress.

Sipas tij, deri tani nuk ka pasur asnjë komunikim apo takim mes PDK-së dhe kandidatit të propozuar nga LVV-ja dhe LDK-ja.

“Asnjë komunikim. Asnjë diskutim nuk ka. Ai, nëse zgjidhet, duhet të luajë rolin e presidentit unifikues. Fillimet nuk janë të mira”, tha Hamza.

I pyetur nëse do të ishte i gatshëm të takohej me Sejdiun për të marrë garanci se ai do të jetë një president unifikues, Hamza tha se një takim i tillë tashmë do të ishte i vonshëm.

“Vonë është tashmë”, u shpreh ai.

LVV-ja dhe LDK-ja janë pajtuar më 31 gusht për Bekim Sejdiun si kandidat të përbashkët për president të Kosovës, në përpjekje për të zhbllokuar ngërçin institucional.

Megjithatë, kandidatura e tij është përballur me kundërshtime edhe brenda LDK-së. Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka deklaruar publikisht se nuk e mbështet këtë kandidaturë.

Ndërkohë, sot priten zhvillime të reja nga strukturat e LVV-së dhe LDK-së lidhur me marrëveshjen dhe hapat e mëtejshëm për vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.

Sipas LVV-së, mosmarrëveshjet rreth zgjedhjes së presidentit kanë qenë ndër arsyet kryesore që kanë penguar deri tani konstituimin e Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.