Janë hapur për qarkullim pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, njofton Policia e Kosovës.

 

 

 

Automjetet e para, përfshirë mjete të transportit janë parë duke kaluar nga territori i Kosovës në atë të Serbisë si dhe anasjelltas.

 

 

 

Hapja e këtyre pikave kufitare pason largimin e barrikadave nga rrugët e pjesës veriore, të cilat u bllokuan nga grupe të serbëve me 10 dhjetor.

 

 

 

“Bazuar në informacionet e deritanishme, është bërë largimi i barrikadave në formën siç ato ishin vendosur dhe pas kësaj është vlerësuar edhe hapja e dy pikë-kalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat sot (30.12.2022) në orët e pasdites janë hapur për qarkullim”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

 

 

Policia thotë se zyrtarët policorë në veri të vendit dhe në këto dy pika kufitare, do të vazhdojnë “me realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të rendit publik dhe kushtetues”.

 

 

 

Bllokimi i rrugëve ndodhi pasi më 10 dhjetor institucionet e Kosovës arrestuan ish-policin, Dejan Pantiq.

 

 

 

Pantiq u arrestua nën dyshimet se ka organizuar sulmin ndaj zyrave të Komisionit Qendror Zgjedhor në fillim të muajit dhjetor në Mitrovicë të Veriut si dhe në Zubin Potok.

 

 

 

Largimi i barrikadave filloi mesditën e 29 dhjetorit pas paraprakisht gjykata në Kosovë ia zëvendësoi masën e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak ish-policit Pantiq si dhe pasi serbët e Kosovës u takuan me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili deklaori se mbështeste largimin e barrikdave nga rrugët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re