Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deputetët e PS, Blerina Gjylameti dhe Besnik Bare, si dhe zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda inspektuan mjediset e reja të zyrave të ALEAT-it tek Pallati me Shigjeta, një hapësire që deri pak kohë më parë sipas kryebashkiakut shërbente si lokal ku vihej lloto dhe harxhoheshin kursime familjare. Veliaj dhe deputetet e PS vlerësuan faktin se banorët e njësive 6 dhe 7 mund të aplikojnë në pak minuta për mjetet e reja të identifikimit pasaporta dhe karta, pa qenë nevoja të presin në radhë.

 

“Po inspektojmë një pikë që deri dje shërbente si pikë bastesh, kurse sot është si pikë identiteti. Unë besoj se identiteti real i këtij qyteti është ai që jemi, ai që përfaqësojmë, familja jonë, dhe nuk janë pikat e basteve, llotot dhe bingot. Më pëlqen që me transformimin e një hapësire, që më përpara ishte e pamundur ta aksesoje, pra me lirimin e pikave të basteve, edhe bashkia mund të përballojë qira në ish-epiqendrat e vesit. Është një lajm shumë i mirë për qytetin”, tha kryebashkiaku i Tiranës.

 

Ai theksoi se tashmë, falë edhe punonjësve të trajnuar, çdo qytetar mund të marrë një shërbim shumë herë më të shpejtë, ndaj i ftoi ata që t’i drejtohen zyrave të reja për të aplikuar sa më parë për karta dhe pasaporta.

Kryebashkiaku shtoi se krahas zyrave të posaçme të ALEAT-it, që po hapen në zona të ndryshme të Tiranës, funksionojnë paralelisht edhe zyrat pranë njësive administrative, ku gjithashtu qytetarët mund të aplikojnë për karta dhe pasaporta identiteti.

 

Deputetja e PS, Blerina Gjylameti tha se hapja e këtyre pikave u vjen në ndihmë gjithë qytetarëve. “Duke qenë se jam dhe deputete e Njësisë 6, por jo vetëm, edhe për zonat e njësive administrative përreth, është një zgjidhje shumë e mirë për faktin se nëse në Njësinë 6 ende mund të aplikojnë të gjithë ata që vijnë nga zonat përreth, Ndroqi, Vaqarri, dhe me radhë, këtu mund të vijnë qytetarët e tjerë. Zgjidhje shumë e mirë, por mbi të gjitha, ajo çfarë çdo ditë angazhohemi, është që qytetarët të marrin shërbimet maksimale me cilësi maksimale, dhe të mos rrinë të presin në ato radhë pafund”, tha ajo.

 

Zëvendësministrja e Brendshme, Voda vlerësoi bashkëpunimin që ekziston mes pushtetit vendor, Ministrisë së Brendshme dhe ALEAT-it, për të krijuar kushte sa më të mira për aplikimet për mjetet biometrike të identifikimit.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re