Nga nesër (31 gusht 2021) të interesuarit për t’u përzgjedhur anëtarë të bordit të administrimit të Universitetit Politeknik në Tiranë, mund të dorëzojnë dokumentacionin pranë Ministrisë së Arsimit.

Dokumentacioni që nga kërkesa për aplikim, fotokopje e diplomës, CV, dëshmia për njohjen e gjuhës së huaj, etj, mund të dërgohen në protokollin e Ministrisë të Arsimit ose me postë elektronike.

Urdhri për hapjen e garës për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit administrativ të Politeknikut u botua në Fletoren Zyrtare.

Bordi i Administrimit është organi më i lartë kolegjial administrativ, i cili garanton përmbushjen e misionit të institucionit të arsimit të lartë, mbarëvajtjen financiare dhe administrative të tij.

Kërkesat e veçanta që duhet të plotësojë kandidati për t’u përzgjedhuar si anëtar është, si: të jetë person me profil publik dhe të ketë të paktën 10 vjet përvojë pune në fushat akademike, menaxheriale, publicistike, ekonomike e juridike. Përparësi do të kenë kandidatët me përvojë praktike në sistemin e arsimit të lartë.

Në urdhrin e Ministrisë të Arsimit për hapjen e garës për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit administrativ të Politeknikut përcaktohet se bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e masës së shpërblimit të anëtarëve të këshillave, bordeve ose komisioneve të përhershme të njësive të qeverisjes qendrore”, i ndryshuar, kufiri maksimal i shpërblimit të anëtarëve në bordin e administrimit në institucionet e arsimit të lartë publik është 25,000 lekë në muaj

Lista e dokumentacionit, vendi dhe afati i dorëzimit: Kërkesë për aplikim ku të jetë specifikuar IAL-ja ku kandidon; – Jetëshkrim i plotësuar në gjuhën shqipe (CV Curriculum Vitae); – Fotokopje të diplomës (përfshirë edhe diplomën “Bachelor”). Për diplomat dhe certifikatat e lëshuara nga institucionet e huaja të arsimit të lartë dhe institucione të tjera të autorizuara, jashtë Republikës së Shqipërisë, të përcillet vërtetimi i njohjes dhe njehsimit të diplomës/certifikatës, të lëshuara nga strukturat përgjegjëse përkatëse; – Fotokopje të librezës së punës; – Fotokopje të letërnjoftimit (ID); – Dëshmi e njohjes së gjuhës së huaj; – Vërtetim që nuk ka masë disiplinore në fuqi për largim nga detyra; – Formular i vetëdeklarimit i gjendjes gjyqësore; – Vetëdeklarim mbi mosangazhimin në funksione drejtuese partiake, sipas formatit të shtojcës nr. 1/1; – Vetëdeklarim mbi konfliktin e interesit, sipas formatit të shtojcës nr. 1/2; – Vetëdeklarim për verifikimin e vërtetësisë së dokumenteve të paraqitura nga kandidati, sipas shtojcës nr. 1/3; – Vetëdeklarim se nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar i ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991, në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

-Paraqitja e dokumenteve të cituara më sipër, do të jetë deri në datën 31.8.2021 në një nga këto mënyra: a) me postë zyrtare në adresë të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë; b) dorëzimi dorazi në ambientet e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Dokumentacioni administrohet nga Drejtoria e Miradministrimit të Burimeve Njerëzore, Aseteve dhe Shërbimeve, në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, e cila vë në dispozicion të Komisionit “Ad hoc” të ngritur me urdhër ministri, dokumentacionin e paraqitur nga kandidatët.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re