Skip to content

Hapet rruga Qukës-Qafë Plloçë/ Lehtëson qarkullimin dhe shkurton kohën drejt juglindjes

Hapet për qarkullim të automjete rruga Qukës-Qafë Plloçë. Kryeministri Edi Rama dhe Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishin të pranishëm në inaugurimin e aksit Qukës- Qafë Plloçë, ku prej ditës së sotme do të jetë i aksesueshëm për të gjithë automjetet.

Ky aks u shpreh Rama jo vetëm do të lehtësojë qarkullimin drejt juglindjes, por krijon mundësi zhvillimi për të gjithë zonën, duke nxitur më tej turizmin, por edhe sektorin bujqësor.

Kjo rrugë është një arterie me rëndësi për Juglindjen e vendit dhe pritet të shkurtojë ndjeshëm kohën për të përshkuar distancën nga Tirana në Korçë.

Me një gjatësi totale prej 43.4 kilometrash, rruga Qukës-Qafë Plloçë është një nga investimet strategjike në infrastrukturë me ndikim për zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonave juglindore të vendit.

Për shkak të terrenit të vështirë kjo vepër infrastrukturore përfshiu ndërtimin e një numri të madh muresh mbajtëse, mbi 20 ura, 2 tunele të ndërtuara me gjatësi 850 m dhe 350 m, së bashku me tunelin e emergjencës.