Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës hapi dyert spitali i ri i Laçit, i rindërtuar nga themelet pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, një investim i qeverisë shqiptare.

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu inspektuan spitalin e ri, të cilin e konsideruan një model për spitalet bashkiake në vend.

“Kurbini nuk ka vetëm një spital të ri. Është një strukturë spitalore e ndërtuar sipas modelit tonë të ri të spitaleve bashkiake, duke patur në vëmendje zhvillimet demografike, sëmundshmërinë dhe elementet socio-ekonomik të zonës. Modeluar me teknologjinë e kohës, me një hapesirë rreth 2800m2, nga sistemet e integruara të gazrave mjekësore, të ajrimit, e pajisur, me pajisje të reja biomjekësore. Pas ndërtimit të spitalit të ri të Kurbinit dhe pas ndërtimit të Maternitetit të ri të Lezhës, brenda 6 muajve të ardhshëm fillojmë rehabilitimin e spitalit rajonal të Lezhës dhe rindërtimin e spitalit të Mirditës”, tha Manastirliu.

 

Duke folur për autonominë spitalore, Ministrja e Shëndetësisë tha:

“Po këtë vit ne mbajmë edhe një tjetër premtim: Zbatimin e Autonomisë Spitalore. Jemi duke përgatitur planin spitalor kombëtar. Pas miratimit të ligjit, reformën e fillojmë nga Spitali Memorial, Fier për ta shtrirë më pas në të gjithë Shqipërinë. Kështu rrisim efiçensën në spitalet publike duke i bërë më konkurruese. Kështu promovojmë më fort punën e mjekëve përmes mekanizmave të reja financiarë. Kështu sigurojmë aksesin e qytetarëve në shërbime cilësore”, tha Manastirliu.

 

Spitali i ri i Laçit i rindërtuar nga themelet, investim i qeverisë shqiptare, është pajisur me aparatura mjekësore të teknologjisë së avancuar. Ka një kapacitet prej 40 shtretërish dhe do të ofrojë shërbimet e urgjencës; të imazherisë; laboratorit; kirurgjisë; patologjisë; maternitetin dhe pediatrinë; fizioterapinë, etj.

 

Bashkë me investimin e ri, në këtë spital vijnë edhe mjekët e specializuar, ku vetëm këtë vit sapo janë punësuar pesë mjekë, në specialitetet: pediatri, obsetrikë-gjinekologji, mjekësi interne, endokrinologji, okulistikë, duke plotësuar stafin e përbërë nga 60 mjekë dhe infermierë të këtij spitali.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re