Qeveria e Kosovës ne fillim të  këtij viti  ka marrë vendim që të fillojë procedurat për privatizimin e ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës, kompani kjo dikur më fitimprurësja në vend, por që aktualisht po përballet me probleme të mëdha financiare. Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare në kuadër të së cilës funksionon telefonia mobile Vala dhe telefonia fikse. Për të finalizuar këtë privatizimi, Qeveria e Kosovës kishte kërkuar ndihmë edhe nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Telekomi i Kosovës ka përafërsisht mbi 2500 punonjës ku Qeveria e Republikës së Kosovës është pronare e 100 qind për qind të aksioneve.

Kërkesës së Qeverisë, për ta ndihmuar në procesin e privatizimit të Telekomit, i është përgjigjur pozitivisht Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Përmes një thirrje publike, BERZH njofton se e mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për privatizimin e Telekomit, dhe se do ta ofrojë asistencën e saj deri në privatizim.

Fillimisht, BERZH ka iniciuar procedurat për gjetjen e një kompanie konsulente që do të ofrojë ekspertizën e saj, përcjell Buletini Ekonomik.

“Qeveria ka kërkuar nga BERZH që të jetë si këshilltar i jashtëm për të këshilluar Qeverinë dhe për të hartuar një proces për privatizimin e Telekomit të Kosovës bazuar në një gamë të gjerë të përvojës ndërkombëtare. BERZH ka rënë dakord të financojë një konsulencë të tillë”, thuhet në komunikatën e publikuar nga BERZH me datën 3 prill 2019.

Tenderi i shpallur nga BERZH ka një vlerë prej 70 mijë euro. Ndërsa kompania konsulente që do të përzgjidhet pritet t’i ofrojë këshilla për një proces të përgjithshëm privatizimi për Telekomin e Kosovës duke përfshirë: metodat e privatizimit, kornizën më të gjerë ligjore dhe institucionale, si dhe kohën e vetë procesit të privatizimit.

E gjithë procedura e ristrukturimit pritet të zgjasë deri në fund të këtij viti.

Ndërkohë, sipas asaj që kishte thënë më herët për media ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, BERZH, përveç që ka shprehur gatishmërinë për të ofruar asistencë teknike në fazën e ristrukturimit, po ashtu edhe ofrimin e një kredie deri në 25 milionë euro si dhe hartimin e një dokumenti mbi hapat që duhet të ndjekë Qeveria e Kosovës për privatizimin e kësaj ndërmarrje.

Ky dokument ndër të tjera bazohet në principet si në vijim: vlerësimin e drejtë të secilës ofertë për privatizim të Telekomit, përkushtim dhe transparencë në këtë proces, inkurajim të konkurrencës si dhe rishikim të proceseve dhe strukturave brenda Telekomit të Kosovës.

Ministri  Valdrin Lluka, po ashtu pati thënë se privatizimi i Telekomit është i domosdoshëm.

“Qëndrimi i Telekomit është shumë i vështirë, dhe do të vijë koha që situata do të vështirësohet edhe më shumë, sidomos kur është çështja e borxhit që e ka Telekomi. Kjo e çon në falimentim të menjëhershëm”, ka thënë ai. “Duke parë këtë situatë, mendoj që një privatizim është i domosdoshëm”.

Ndryshe Telekomi i Kosovës ka operuar në sistemin e Postës dhe Telekomit të Kosovës. Por, në vitin 2012 me një vendim të Qeverisë, Posta u nda nga Telekomi dhe u themeluan si Ndërmarrje Publike.

Kështu që dy herë radhazi PTK i ishte nënshkruar procesit të privatizimit, ndonëse po për dy herë radhazi, Qeveria e Kosovës kishte dështuar ta përmbyllte me sukses këtë proces.

Për herë të parë kjo ndërmarrje i ishte nënshkruar privatizimit në vitin 2011.

Kurse më pas, në rastin e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës, në vitin 2013 kompania “Axos – Capital” ishte shpallur fituese, me një vlerë prej 277 milionë eurosh.

Për këto dy procese të privatizimit, të filluara 10 vjet më parë, Qeveria e Kosovës ka shpenzuar afër 8 milionë euro për këshilltarë të transaksionit dhe për këshilltarë strategjikë.

Telekomi i Kosovës ka përafërsisht mbi 2500 punonjës ku Qeveria e Republikës së Kosovës është pronare e 100 qind për qind të aksioneve. /Monitor

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re