Aktorja Elda Sorra në “ABC-ja e mëngjesit”, ka folur për 30 vjetorin e hapjes së Ambasadave në Shqipëri.

Aktorja ka kujtuar fillimet e rrugëtimit të saj dhe kohën e trazuar kur shqiptarët 30 vite më parë me shpresën për një jetë më mirë, u nisën për t’u larguar nga vendi.

Sot 30 vite pas hapjes së Ambasadave në Shqipëri Elda Sorra tregoi se kanë përjetuar momente të vështira gjatë largimit të saj dhe familjes drejt Gjermanisë.Edhe pse tregoi se ka qenë shumë e vogël gjatë periudhës së largimit të familjes, tha se natën që janë nisur për në Ambasadën e Durrësit është ndarë nga nëna dhe motra e saj. Pas dy muajsh janë bashkuar nëpërmjet Kryqit të Kuq.

“Ishim duke luajtur para shtëpisë. Në ato momente babai na thërret të bashkohemi në shtëpi. Kishim marrë çanta me ushqime.

Jemi futur te Ambasada Gjermane, për tu larguar drejt Gjermanisë. Natën kur u nisëm nga ambasada me traget për në Durrës, na thirrën me emra. Pasaportat i kishin ndërruar. Fillimisht është thirrur emri i mamit, pas dy orësh është thirrur emri im. Aty u ndamë. Pas dy muajsh jemi bashkuar nëpërmjet Kryqit të Kuq”, tregon aktorja.

Gjatë intervistës transmetohet edhe një foto e oborrit të Ambasadës e cila shihet se është mbushur plot me qytetarë, fëmijë, familjarë.

Ndërkohë, Sorra tregon se ndër fëmijët që janë në foto është vëllai i saj dhe vet ajo pas tij.

Gjatë intervistës me gazetarin Enkel Demi, aktorja u shpreh se karriera e saj në Gjermani ka vijuar si aktore, ndërsa së fundmi ka luajtur edhe rolin e një nëne shqiptare.

“Jam përgatitur për të bërë filmin e dytë të shkurtër, si regjisore. Kam luajtur një serial në Zvicër që është publikuar këtë vit. Për herë të parë në karrierën time aty kam luajtur rolin e një nëne shqiptare”, tregoi aktorja.

Sa i përket situatës së pandemisë, aktorja u shpreh se një pjesë të mirë të kohës e kanë kaluar në izolim, por masat e marra në kuadër të parandalimit të përhapjes së koronavirusit nuk kanë qenë aq të forta sa në Shqipëri.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re