Në fund të një takimi të gjatë me gazetarët, Edi Rama ka komentuar dhe vendimin për hapjen e kazinove në qendër të Tiranës, që sipas tij është fryrë prej mediave, pasi ligji e parashikon caktimin e një zonë strategjike.

Rama tha se në ligj thuhet qartë se kazinotë lejohen në hotelet me 5 yje, dhe në ato vende strategjike ku caktohen nga vetë qeveria.

“Kjo është komplet gënjeshtër, nuk ka asnjë lëshim dore për të dhënë licensa për kazino apo për bixhoz. Është hapur vetëm një procedurë specifike, e cila lidhet me përfundimin e afatit të të vetmes kazino që ka qenë prej shumë vitesh në qendër të Tiranës.

Dhe duke pritur që dikush tjetër të ofertojë, jo se janë hapur në atë rrugë, kazinotë hapen vetëm në struktura me 5 yje, apo në zona strategjike për turistët, gjë që nuk e kemi ushtruar masivisht. Në hotelet me 5 yje po, 5 yje me brande, jo me pikturat e mia, si psh t’ia vë emrin unë Ezali (Edi, Zaho, Linda)”, u shpreh Rama.

Rama u ndal sot kryesisht në procesin e Rindërtimit, që sipas tij po bëhej më shpejt se çdo qeveri që do të kishte qenë në vendin e tij. Me humor kreu i qeverisë tha se do të jetë të paktën edhe 5 vite në pushtet, ndërsa i quajti kundërshtarët e tij, bostan të provuar, që nuk mund ti shiten publikut si të pafajshëm.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re