Vendet e Bashkimit Europian po lëvizin në mënyrë të pa varur për të rihapur kufijtë, tani që po hapet edhe sezoni turistik.

Komisioni Europian po u bën thirrje vendeve anëtare të BE-së që të heqin të gjitha kontrollet kufitare brenda bllokut deri në fund të qershorit, u shpreh Komisionerja për Punë të Brendshme, Ylva Johansson për “Euronews”.

Qeveritë e Bashkimit Europian janë duke u përpjekur që të koordinojnë se si dhe kur të rihapin kufijtë e tyre, e si pasojë ministrat e Punëve të Brendshme të shteteve anëtare do të diskutojnë këtë temë gjatë një takimi të premten.

“Unë mendoj se po afrohemi shumë afër një situate ku duhet të heqim të gjitha kufizimet e brendshme të kufijve dhe kontrollet kufitare”, shtoi Johansson.

“Në takim do t’ju propozoj shteteve anëtare që të heqin të gjitha kontrollet në kufijtë e brendshëm sa më shpejt të jetë e mundur. Një datë e dëshirueshme për të gjithë duhet të jetë fundi i qershorit”, ka shtuar Komisionerja për Punët e Brendshme

Spanja do të hapë kufijtë e saj tokësorë me Francën dhe Portugalinë nga 1 korriku, tre muaj pas mbylljes së tyre për shkak të pandemisë. Në mënyra të ndryshme po rihapen kufijtë edhe në vendet e tjera.

Nëse çështja e kufijve të brendshëm europian është më e lehtë për tu zgjidhur, ajo e kufijve të jashtëm është më e ndërlikuar. Ministrat e jashtëm francezë dhe italianë u takuan në Romë për të provuar të gjejnë një pozicion të përbashkët, një hap thelbësor për lëvizjen e lirë brenda Kontinentit të Vjetër.

“Kur bëhet fjalë për kufijtë e jashtëm, është mirë që të kemi të njëjtën qasje – shtoi Johansson – Ky është një parakusht për të patur kufij të hapur brenda Bashkimit Evropian dhe zonës Shengen. Kjo është arsyeja pse ky diskutim do të jetë shumë i rëndësishëm” .

Ekziston ndërkohë një presion i fortë nga industria e turizmit për të përshpejtuar rihapjen edhe pse ka ende rreziqe. Greqia ka njoftuar rihapjen, por u detyrua të pezullojë fluturimet përsëri nga Katar pas mbërritjes së 12 pasagjerëve që testuan pozitivisht për Covid-19.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re