Autoriteti Rrugor Shqiptar ka ndihmuar firmën që po ndërton rrugën e Arbërit, Tiranë-Dibër, duke përdorur edhe taksat e shqiptarëve.

E inauguruar me urgjencë, rruga ka pësuar dëmtime të mëdha, teksa funksionon vetëm pjesë-pjesë. Shpejtimi i Kryeministrit Edi Rama për të marrë vota në qarkun e Dibrës, sot po na kushton rëndë, pasi ARRSH-ja herë pas here bën tendera për të ndihmuar firmën koncesionare “Gjoka”.

Drejtori Evis Berberi ka akorduar një shumë prej 150 milionë lekësh të vjetra për të rregulluar një tombino. Sipas dokumenteve ARRSH ka hapur tenderin me objekt “rehabilitimi i tombino/tubosider në aksin rrugor Qafa e Buallit – Fillimi i rrugës së Arbërit”.

Sipas dokumenteve, fondi limit i akorduar nga ARRSH-ja është 12.499.803 lekë pa TVSH, ose me TVSH shuma shkon në plot 150 milionë lekë të vjetra. Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është 2 muaj, ndërsa në dokumentet shoqëruese thuhet se këto punime kanë ardhur si pasojë e kërkesave të Bashkisë Bulqizë.

“Pas disa kërkesave të ardhura nga Bashkia Bulqizë në Autoritetin Rrugor Shqiptar u ngrit grupi i punës për verifikimin e situatës në vend dhe hartimin e dokumentacionit teknik për zgjidhjen e problematikës.

Pas verifikimit të gjendjes u konstatua se tombino me konstruksion tubosider e vendosur në trupin e rrugës, në segmentin rrugor Qafë Bualli – dalje lindore e Qytetit të Bulqizës (pjesë e rrugës së Arbërit) ishte jashtë pune duke krijuar një disnivel të konsiderueshëm të shtratit të kanalit me shtratin e tombinos ‘tubosider’” thuhet në këto dokumente.

Në dokumentet shoqëruese, ARRSH shkruan se pjesa e dëmtuar është në Rrugën e Arbërit. Por, a nuk u dha me koncesion ky segment?! Ndërtimin po e bën firma “Gjoka”, e cila ka fituar koncesionin 250 milionë euro. Por, duke qenë se disa pjesë janë bërë më përpara, të tjera s’kanë filluar të ndërtohen, nuk dihet saktësisht sa kilometra do të ndërtojë “Gjoka”.

Por, në dokumentet e tenderit shkruhet se “dalja jashtë pune e kësaj tombino ka ardhur si rezultat i uljeve gjeologjike të të gjithë fushëgropës së Bulqizës. Ulja e krijuar në vite ka prekur edhe rrugën në zbritje të segmentit nga Qafa e Buallit deri në nyjen në hyrje të Qytetit të Ri të Bulqizës, ku janë shfaqur çedime të trupit të rrugës”.

ARRSH sqaron se ulja e fushëgropës bën që të ulet edhe shtrati i këtij kanali, i cili nuk arrin të kalojë ujë nepërmjet tombinos me konstruksion “tubosider”. Por, nuk shpjegon nëse duhet ta ndërtojë koncesionari!/boldnews

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re