Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për grupin punues që do të merret me hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

 

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, duke u përgjigjur pytjeve të shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hotit, Haradinaj ka thënë se kjo është produkt i mëhershëm dhe se nuk janë lejuar ndryshime ose shtim i personelit.

 

“Grupi punues është produkt i mëhershëm, ndërsa në përbërje ose në procese të tjera është diçka tjetër. E kam pasur një ide që këtë grup punues me e pasuru, mirëpo nga BE-ja është thënë që grupi punues është ky. Pra grupi i sotëm nuk është produkt i kësaj Qeverie, dhe tendenca për me e pasuru këtë grup nuk ka pasur përkrahje”.

 

Tutje ai ka thënë se ka kërkuar ndryshime në këtë grup, mirëpo iniciativa e tij nuk ka gjetur përkrahje.

 

Ndërsa duke u përgjigjur në pyetjen shtesë të Hotit, Haradinaj tha se ky grup punues është produkt i Qeverisë Mustafa, dhe e mira e kësaj është se vlerësimin mund ta japë Gjykata Kushtetuese.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re