Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur se Kosova gjithmonë do të ketë nevojë për KFOR-in dhe NATO-n. Në fjalën e tij në konferencën e organizuar nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, me temën “FSK-ja dhe Partnerët”, shefi I qeverisë ka komentuar se FSK-ja nuk do ta zëvendësojë KFOR-in, sepse KFOR-i është i mirëseardhur në shtetin tonë.

 

“Prezenca e NATO-s në shtetin tonë do të jetë gjithmonë e mirëpritur. Ne duam t’i bashkohemi NATO-s, duam të punojmë me ju. Me tranzicionin, FSK-ja është e gatshme të shërbejë me ju, me forcat e juaja të armatosura gjithkund në botë”.

 

Ndër të tjera ai është shprehur se kërcënimet që u janë bërë pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që të largohen nga kjo forcë “janë të papranueshme”.

 

Haradinaj tha se FSK-ja do të ruajë karakterin e shumetnicitetit dhe tha se kjo Forcë është edhe e qytetarëve serbë.

 

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim tri projektligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

 

Përmes këtyre tri projektligjeve synohet që Forca e Sigurisë së Kosovës të transformohet në një forcë me kapacitete shtesë, përfshirë edhe përgjegjësi të mbrojtjes, por pa prekur në emrin e saj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re