Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, së bashku me Presidentin Hashim Thaçi ka marrë pjesë këtë të mërkurë në një takim me përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së, John Erath dhe Brad Berkley.
Në fjalën e tij në këtë takim, Haradinaj ka theksuar se Republika e Kosovës është e angazhuar në mënyrë të pakthyeshme për të forcuar demokracinë dhe institucionet e saj.
“Kosova është e gatshme për marrëveshje ligjërisht obliguese që rezulton me njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe Kosovën e 17 shkurtit 2008. Po ashtu, është e gatshme për marrjen e të drejtave dhe detyrimeve të anëtarësimit në NATO, Kombet e Bashkuara, BE dhe organizatat tjera ndërkombëtare dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore”.
Ndër të tjera shefi i qeverisë ka thënë se Kosova është e vendosur për tregti të lirë brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese do të përfshijë edhe rregullimin e kapitullit të tregtisë së lirë në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Gjithashtu, kryeministri në këtë takim me përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së tha se Kosova mbështetet në vlerat e një shoqërie shumetnike, të bazuar në të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët dhe komunitetet e saj, duke vlerësuar se Kosova i mbetet besnik miqësisë së përhershme dhe bashkërendimit të politikave me SHBA.