Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar këtë të enjte me krerët e ekipit negociator të Kosovës, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, pas vizitës që patën në Bruksel, ku u takuan me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

 

Pas takimit Haradinaj ka thënë se ishte takim informues për rrjedhën e vizitës në Bruksel.

 

“Takim informues nga bashkëkryesuesit e Delegacionit Shtetëror për bisedimet me Serbinë, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, për rrjedhën e vizitës në Bruksel. Delegacionin Shtetëror i përgëzova për paraqitjen e shkëlqyer të qëndrimeve të Kosovës përballë zyrtarëve të BE-së për dialogun me Serbinë”.

 

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ndër të tjera Haradinaj shkruan se arritja e Marrëveshjes Gjithpërfshirëse me shtetin fqinj, që do të thotë njohje reciproke ndërmjet dy shteteve.

 

“Arritja e Marrëveshjes Gjithpërfshirëse me shtetin fqinj, që do të thotë njohje reciproke ndërmjet dy shteteve, i siguron Kosovës ulësen në OKB dhe organizatat tjera ndërkombëtare”, teksa ka shtuar se “Kosova, e përkushtuar për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet, është e vendosur për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re