Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar 20 vjetorin e masakrës në burgun e Dubravës, ku ka thënë se është e dhimbshme që edhe sot pas dy dekadash drejtësia nuk e ka mkryer isionin e saj për të dënuar ekzekutorët e këtij krimi barbar.Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj shkruan se mosdënimi i këtij krimi të përmasave gjenocidale dhe mohimi i tij është dëshmi se shteti serb nuk do të ballafaqohet me krimet e veta.

“Vrasja e 160 të burgosurve shqiptarë dhe plagosja e 200 të tjerëve në burgun e Dubravës, 20-vjet më parë nga forcat serbe është krimi më i egër kundër njerëzve tashmë të privuar nga liria. Masakra e Dubravës mbetet një nga krimet më monstruoze në Kosovë për të cilin askush nuk është gjykuar, edhe përkundër qindra dëshmitarëve të mbijetuar dhe dëshmive të pamohueshme. Është skajshmërisht e dhimbshme që edhe sot pas dy dekadash drejtësia nuk e ka kryer misionin e saj për të dënuar ekzekutorët e këtij krimi barbar. Mosdënimi i këtij krimi të përmasave gjenocidale dhe mohimi i tij është dëshmi se shteti serb nuk do të ballafaqohet me krimet e veta. Kosova nuk do të ndalet kurrë në kërkim të drejtësisë”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re