Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur se SHBA dhe vendet e BE nuk duhet të ndërlidhin vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë me shfuqizimin e taksës doganore, të cilën Qeveria e Kosovës ua ka vënë importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

 

“Është gabim pozicioni, edhe i Uashingtonit, edhe i evropianëve, edhe i Berlinit, edhe i Parisit, t’ia pranojnë kushtin Serbisë, heqjen e tarifës, për të vazhduar dialogun. Koha na ka kushtuar të dyja palëve. Njëzet vjet kanë kaluar që nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe ne nuk kemi interes që të hapim sërish çështjen e Kosovës së 17 shkurtit [v.j. ditës së shpalljes së pavarësisë], se këtë Kosovë të 17 shkurtit e ka mbyllur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”.

 

Këto komente ai i bëri në tryezën e diskutimit me shoqërinë civile në Prishtinë, me temën “Dialogu Kosovë – Serbi pas takimit të Berlinit”, të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës.

 

Gjithahstu pjesë e takimit ishte edhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean Hubert Lebet, i cili tha se Samiti i Berlinit ka konfirmuar rëndësinë që palët të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjore, me qëllim që të arrihet normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

 

Ai e komentoi edhe idenë e lansuar qysh vitin e kaluar nga protagonistët e dialogut Kosovë – Serbi për ndryshim apo korrigjim të kufirit, të cilën e cilësoi si joadekuate.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re