Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj këtë të premte është takuar me komisionerin për Zgjerim të BE-së, Johannes Hahn. Shefi i qeverisë ka ripërsëritur sërish se taksa do të hiqet vetëm kur të ketë njohje reciproke.

 

Ndër të tjera kryeministri Haradinaj ka thënë se në takimin me Hahn është përmendur edhe liberalizimi i vizave si një e drejtë që po u mohohet qytetarëve të Kosovës.

 

“Kosova është e përkushtuar që të jetë partnere kredibile e bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë, gjithmonë, kur asaj nuk i mohohet e drejta për të vepruar si shtet i pavarur dhe sovran. Këtë ia thashë Komisionerit Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn me të cilin pata rastin të diskutoj, së bashku me Zëvendëskryeministrin Pacolli, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë. Vendi ynë i gëzohet tregut të lirë, jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, por në të gjithë Ballkanin Perendimorë. I gëzohemi kohës kur nuk do të ketë tarifa, por njëkohësisht respekti dhe njohja reciproke, është parakusht për t’u arritur kjo. Po ashtu, theksova edhe njëherë nevojën e liberalizimit të vizave si një e drejtë që u takon qytetarëve tanë. Rikujtova se Kosova tashmë ka përmbushur të gjitha kushtet dhe padrejtësisht mbetet e izoluar.”

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re