Një vit para zgjedhjeve parlamentare Lulzim Basha i cili mban logon e Partisë Demokratike, krijoi sot koalicionin “Harku opozitar euroatlantik” me figura të njohura politike të së djathtes dhe parti jo parlamentare.

Kësaj nisme iu bashkuan ish-nënkryetari i PD Bamir Topi dhe ish-anëtari i kryesisë së PD, Spartak Ngjela dhe qëllimi kryesor i kësaj aleance është Reforma Zgjedhore dhe mbështetja për SPAK-un dhe Reformën në Drejtësi.

“Nesër është afati i fundit i komisionzi të reformës zgjedhore dhe nuk është e rastësishme që kjo tryezë dialogu me gjithë faktorët politik, partitë politike opozitare mbahet sot pikërisht si një këmbanë jo për interesat e partive politike që përfaqësoni, por për interesat e shqiptarëve që edhe një herë rezikojnë t’i nënshtrohen interesave të ngushta personale të atyre që me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 përmbysën balancën institucionale”, tha Basha.

Basha theksoi se kërkesa kryesore e këtij koalicioni është ndryshimi i sistemit zgjedhor.

“Ne kemi kërkuar një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura, me votim elektronik dhe numërim elektronik”, tha Basha.

Deri më tani në kampin opozitar janë krijuar dy koalicione, koalicioni i drejtuar nga Sali Berisha me 12 parti parlamentare dhe jo parlamentare dhe koalicioni i drejtuar nga Lulzim Basha.

Mbetet për tu parë nëse këto dy formacione do të garojnë më vete apo jo në zgjedhjet e ardhshme parlamentare përballë socialistëve të Edi Ramës./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re