Donald Trump pretendon se i ka kërkuar drejtpërdrejt Google-it të ndryshojë emrin e Oqeanit Atlantik në hartat dixhitale.
Kompania, sipas rrëfimit të presidentit amerikan, ka refuzuar, duke i kujtuar se oqeanet përfshijnë shumë shtete. Por për Trumpin, duket se edhe emrat gjeografikë janë një tjetër skenë ku mund të luajë rolin e pronarit të botës.
Donald Trump ka treguar gjatë një mitingu në Karolinën e Jugut, se ka telefonuar drejtpërdrejt Sundar Pichai-n, drejtorin ekzekutiv të Google-it, për ta pyetur nëse mund të ndryshohej emri i Oqeanit Atlantik në Google Maps.
“Po mendoja për Oqeanin Atlantik. Sundar, a mund të merresh me këtë?”, ka rrëfyer Trumpi se i ka thënë drejtuesit të kompanisë.
Sipas versionit të presidentit amerikan, Pichai i është përgjigjur se oqeanet janë të ndryshme dhe përfshijnë shumë vende, ndaj i ka kërkuar të mos e vinte kompaninë përballë një kërkese të tillë.
Google nuk e ka konfirmuar publikisht rrëfimin për këtë telefonatë. Megjithatë, precedenti ekziston: në vitin 2025, Google Maps pasqyroi për përdoruesit në Shtetet e Bashkuara ndryshimin e emrit të Gjirit të Meksikës në “Gjiri i Amerikës”, në përputhje me vendimin e administratës Trump.
Ky nuk ishte rasti i vetëm kur presidenti amerikan u përpoq ta kthente hartën në një zgjatim të markës së tij politike.
Trumpi ka nënshkruar një urdhër për riemërtimin e Gjirit të Meksikës si “Gjiri i Amerikës” dhe ka nxitur përdorimin e kësaj emërtese nga institucionet federale amerikane.
Në të njëjtën frymë, ai ka pretenduar se Liqeni Ontario duhet të quhet “Liqeni i Amerikës”, emër që, sipas raportimeve, është shfaqur në Google Maps vetëm për përdoruesit në SHBA.
Madje, ka kërcënuar se mund të ndërhyjë edhe te emërtimet e oqeaneve. Në këtë pikë, vështirë të mos pyesësh: çfarë vjen më pas?
A do të kërkojë Trumpi që Paqësori të bëhet “Oqeani i Madh Amerikan”, apo do t’i propozojë Google-it që edhe Evropa të marrë një emër më të përshtatshëm për egon e tij?
Mund të duket si një spektakël i zakonshëm trumpian, një marifet për të tërhequr vëmendjen dhe për të mbajtur veten në qendër të skenës. Por sjellje të tilla nuk janë aq të pafajshme sa duken.
Një president që i trajton emrat gjeografikë si etiketa që mund t’i ndërrojë sipas dëshirës, krijon përshtypjen se edhe historia, sovraniteti dhe kufijtë janë çështje vullneti personal.
Pas dy vitesh, shembulli që mund të mbetet nga kjo mënyrë drejtimi është i rrezikshëm. Pretendimet territoriale të shteteve mund të relativizohen, sikur gjithçka të ishte një garë për të parë se kush e imponon më fort emrin e vet.
Historia njeh plot raste kur simbolet, emërtimet dhe hartat janë kthyer në mjete të nacionalizmit dhe të përplasjeve politike.
Ndryshimi i emrit nuk është domosdoshmërisht pararendës i një lufte, por mund të shërbejë si shenjë e një pretendimi më të gjerë, sidomos kur lidhet me sovranitetin dhe territorin.
Trumpi mund t’i shohë këto episode si shfaqje, si një lojë ku fiton ai që bërtet më fort. Por kufijtë nuk janë lodra dhe hartat nuk janë albume personale.
Kur një udhëheqës i fuqisë më të madhe botërore sillet sikur mund t’i riemërtojë sipas humorit, ai nuk po tregon forcë. Përkundrazi, banalizon një çështje që historia e ka bërë tepër serioze për t’u lënë në duart e një presidenti biologjikisht 82-vjeçar, por që mendërisht sillet shpesh si fëmijë.
Continue Reading
