Harta e re për rishpërndarjen e gjykatave, përveçse nuk po ndikon në uljen e stokut të dosjeve, ka rritur edhe tarifat e shërbimit nga avokatët.

Për juristët, shkrirja e gjykatave të shkallës së parë në rrethe, ka shtuar kostot e transportit nga rritja e distancës të gjykatave.

Avokat Klodian Gjermeni tha për “Monitor” se reforma për hartën gjyqësore ka rritur tarifat e avokatëve 20 deri në 30%, pasi janë shtuar kostot e transportit të avokateve në rrethe.

“Duhet të marrim parasysh se një avokat që do të ndjekë një seance gjyqësore në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë dhe vjen nga qyteti i Sarandës apo Korçës këto kosto do t’ia ngarkojë qytetarit.

Përveç shkrirjes së gjykatave të apelit, rritja e tarifave është ndikuar edhe nga shkrirja e një sërë gjykatash në rrethe civile ose administrative.

Vlen të sjellim si shembull qytetarin e Konispolit ose Tropojës, i cili do të ndjekë një proces gjyqësor administrativ në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Lushnjë ose Tiranë.

Kjo rishpërndarje e gjykatave përveçse ka rritur tarifat e shërbimit ndaj avokatëve, në njëfarë mënyre kanë avantazhuar edhe korrupsionin aktiv ose pasiv”, thotë Gjermeni.

Edhe avokati Përparim Caca nga qyteti i Kavajës tha për Monitor se shkrirja e gjykatës së shkallës së parë në këtë qytet, e transferuar në Durrës ka detyruar juristët të rrisin tarifat e shërbimit.

“Sado që kemi sensin pozitiv të mos ngarkojmë qytetarët me tarifë shërbimi, sidomos kategorinë e pensionistëve është e pamundur të bëhet për të gjithë, pasi falimenton. Me largimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Durrës dhe apelit në Tiranë, kostot janë shtuar”.

Ndërkohë pritet rritje e mëtejshme e tarifave të avokatëve sipas Klodian Gjermenit, si pasojë e miratimit të ligjit “Për Tatimin mbi të ardhurat” që do të tatojë profesionet e lira nga 15 % deri ne 23 % të xhiros së tyre vjetore të deklaruar. Ligji i ri nis zbatimin nga 1 janari 2024.

Strukturën e re për funksionimin e sistemit gjyqësor, nisi nga 1 Shkurti 2023, fillimisht me funksionimin e një gjykate të vetme të Apelit në Tiranë, pas shkrirjes që iu bë 6 gjykatave të Apeleve në rrethe.

Ndërsa nga 1 maji 2023 nisi riorganizimi i gjykatave të shkallës së parë, nga 22 u shkurtuan 10 dhe nga 1 Korriku 2023 u mbajtën vetëm dy Gjykata Administrative të Shkallës së Parë, në rang vendi, një në Tiranë dhe një në Lushnjë, duke u shkrirë gjykatat administrative të rretheve.

Vendimi është vlerësuar antikushtetues nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë dhe është kërkuar shfuqizimi në Gjykatën Kushtetuese.

Shqyrtimi i kërkesës tashmë ka nisur në Gjykatën Kushtetuese.

Harta e re gjyqësore rriti edhe afatet për gjykimin e dosjeve

Riorganizimi i gjyqësorit, duke shkrirë disa gjykata civile dhe administrative në rrethe dhe centralizimin e Gjykatës së Apelit vetëm në Tirane, sipas avokatëve ka shtuar edhe stokun e dosjeve edhe kohëzgjatjen e gjykimit te tyre, duke jashtë afateve te gjykimit.

Avokat Klodian Gjermeni thotë se në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë një seance gjyqësore zhvillohet çdo 5 ose 6 muaj dhe gjyqtaret kanë kohë të pamjaftueshme, për shkak të ngarkesës, për arsyetimet e vendimeve. Sipas tij kjo ngarkesë ka ardhur jo vetëm për shkak të reformës në drejtësi, por edhe për shkak të reformës së hartës së re gjyqësore.

“Në Gjykatën e Lartë presin radhën për shqyrtim 28,155 dosje sipas të dhënave të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe aktualisht po gjykohen dosjet e vitit 2016, Gjykata e Apelit te Juridiksionit të Përgjithshëm aktualisht po Gjykon dosje te vitit 2017, ndërsa vetëm në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë duke u gjykuar 21,669 fashikuj gjyqësor. Pra, natyrshëm dalim në përfundimin se reforma, jo vetëm që ka rritur numrin e stokut të dosjeve, por ka rritur edhe afatet kohore për shqyrtimin, vendimmarrjen dhe arsyetimin (zbardhjen) e këtyre vendimeve brenda afateve ligjore”, veçon juristi Gjermeni.

Edhe në shkallën e parë të Gjykatës Administrative hapja e seancës së parë të gjykimit bëhet 7 deri 8 muaj pas depozitimit të kërkesës. “Në disa raste pensionistët humbasin jetën para marrjes së vendimit”, thotë avokat Përparim Caca./Monitor

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re