Një vit pas hyrjes në fuqi të hartës së re gjyqësore dhe koncentrimit të 5 gjykatave të Apelit në një të vetëm në Tiranë, numri i dosjeve jo vetëm që nuk është ulur por, është rritur me rreth 5 mijë të tilla.

“Në datën 1 shkurt të vitit 2023, numri i çështjeve të regjistruara ka qenë 33731 çështje dhe aktualisht në fund të dhjetorit janë 37662, të mbartura, të paplanifikuara për gjykim. Rreth 11 mijë dosje janë, penale, pjesa tjetër janë civile.”

Të njëjtën gjë e konfirmon edhe avokati, Gentian Rumano, i cili e sheh hartën e re gjyqësore si thellim të problematikave gjyqësore.

“Aktualisht kam çështje civile dhe penale. Çështjet civile paraqesin problematika pak më të mëdha sepse aty janë konfliktet e pronësisë por dhe konflikte të tjera ai ato të zgjidhjeve të martesave. Kam edhe çështje penale që nuk gjykohen që nga viti 2016. Atë që ne avokatët e kishim në dorë e përcollëm duke protestuar, duke ia bërë të ditur Këshillit të Lartë Gjyqësor, që kjo situatë nuk do ta përmirësonte gjendjen e gjyqësorit, vetëm do ta përkeqësonte atë”.

Një zgjidhje të e mundshme e problemit, thotë ai krahas shtimit të trupave gjykuese, do të ishte edhe amnistimi i disa çështjeve.

“Ky stok do të shtohet akoma më tepër nëse nuk do të ketë ndërhyrje imediate, të menjëhershme nga ana e qeverisë së gjyqësorit. KLGJ duhet të parashikojë shtimin e gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit. Mund të ndërhyhej edhe nga ana e qeverisë, me amnistimin e të gjithë kohës së punës përpara viteve ’90, për palët që kërkojnë njohjen e vjetërsisë në punë. Nuk mund të heqim dorë nga instituti i ankimit vetëm se gjykatat janë të ngarkuara.”

Për Vizion Plus Këshilli i Lartë gjyqësor konfirmoi se afati i daljes me një strategji të mirëfilltë për uljen e stokut që pritej të bëhej publik në dhjetor të vitit të kaluar, është zgjatur deri në mars.

Aktualisht, gjykata e Apelit të Përgjithshëm po punon me 25 gjyqtarë nga 78 që duhet të kishte në total.//

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re