Ervin Leka/ Nga 1 Maji, në Shqipëri nisi zbatimi i fazës së dytë të hartës së re gjyqësore, e cila solli një reduktim të ndjeshëm të gjykatave dhe prokurorive.

Pasi në 1 shkurt të këtij viti, 6 gjykata Apeli u shkrinë në një të vetme në Tiranë, duke trashëguar mbi 29 mijë çështje për shqyrtim, tashmë Shqipëria, do të veprojë me vetëm 13 gjykata të Shkallës së parë nga 22 të tilla që ishin.

Harta e re po aplikohet në një kohë, kur në sistem mungojnë 44 % e trupës së gjyqtarëve dhe 38% të prokurorëve, si pasojë e ‘vetingut’ dhe stoku i dosjeve është i lartë.

Në një intervistë për “Panorama TV”, avokatja e njohur Vasilika Hysi thotë se një nga sektorët që dëmtohet ndjeshëm nga kaosi i krijuar në Gjykata, është edhe biznesi. Duke sjell në vëmendje një numër shumë të madh kompanish të cilët presin prej vitesh procese gjyqësore, ajo thekson se situata pritet të përkeqësohet edhe më shumë.

“Nuk është se është lehtësuar apo do të lehtësohet situata. Do ketë probleme më të shumta sesa kanë qenë në gjykatën ku kanë qenë zhvilluar këtë procese gjyqësore. Ka një numër të konsiderueshëm seanca që shtyhen 7 muaj apo 9 muaj seancat. Nuk është dëmtuar vetëm biznesi vendas por edhe ai i huaj. Ka shumë raste kur investitorë të huaj kanë ndërprerë investimet për shkak të problemeve që kanë të bëjnë me pronat”

Avokatja Hysi thekson se aplikimi I hartës së re gjyqësore është një hap i nxituar, ndërsa krijon në Shqipëri një klimë të pa preferuar edhe për bizneset e huaja.

“Ka qenë një hap i nxituar, por ka lindur për shkak të  nevojës. Shqipëria është e papreferuar për investimet e huaja sepse nuk kanë garanci”, tha Hysi.

Mes të tjerash avokatja Vasilika Hysi, ngrenë shqetësime se ky riorganizim po shkakton rritje të kostove dhe vonesa në marrjen e drejtësisë.

“Jo vetëm që shpenzimet janë shtuar, por ka edhe tejkalim të afateve. Në Gjykatën Administrative një proces gjyqësor duhet të përfundojë për 6 muaj, ndërkohë që në Gjykatën Administrative për dy vite i duhen në shkallën e parë dhe 5 vite në Apel”

Faza e tretë që nis zbatimin në 1 korrik, parashikon uljen e numrit të gjykatave administrative, të cilat nga 6 do të mbeten vetëm dy, një në Tiranë dhe një në Lushnje.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re