Pak ditë pas aksionit për ndalimin e qarkullimit të monopatinave, Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu mblodhi në një tryezë diskutimi, gjithë institucionet kryesore që luajnë rol kyç në sigurinë rrugore.
Pas takimit, ministrja shkroi në rrjetet sociale:
“Pezullimi i lëvizjes me monopatina elektrike erdhi si një masë e nevojshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve, deri në krijimin e një kuadri të qartë ligjor që rregullon përdorimin e tyre.
Në tryezën e diskutimit me institucionet kryesore që luajnë rol kyç në sigurinë rrugore, vumë në fokus hartimin e rregullave të reja që do të përcaktojnë:
standardet teknike të mjeteve, rregullat e qarkullimit dhe zonat e lejuara,
si dhe përgjegjësitë e institucioneve që do të sigurojnë zbatimin e ligjit.
Qëllimi është normimi i lëvizjes së monopatinave elektrike në mënyrë të sigurt, të organizuar dhe në përputhje me jetën urbane moderne të qytetit”.
Prej dates 13 tetor Shqipëria ka ndaluar lëvizjen në rrugë të monopatinave.
Franca, Italia, Gjermania, Maqedonia e Veriut e shumë vende të tjera kanë marrë më herët masa drastike me bllokim të përhershëm apo të pjesshëm.
Monopatinat janë shndërruar në një problem serioz për sigurinë rrugore teksa vetëm gjatë vitit 2024, janë regjistruar 991 raste aksidentesh të shkaktuara.
Rregulla e reja pritet të jenë strikte duke nisur nga mosha e përdoruesve, limiti i shpejtësisë, zonat ku mund të qarkullojnë, përdorimi i kaskave mbrojtëse por edhe siguracioni.
