Mediet zvicerane thanë se ish senatori Dick Marty vdiq të enjten në moshën 78 vjeçare. Vdekjen e tij e konfirmoi edhe Partia Radikale e qendrës së djathtë.Emri i zotit Marty i cili kishte shërbyer si prokuror në Zvicër dhe më pastaj si kryesues i komitetit për çështje juridike dhe të drejtat e njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, u bë i njohur pasi në vitin 2010 publikoi një raport që përmbante akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.Raporti i tij i cili u miratua në janar të vitit 2011 nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, çoi në themelimin e Gjykatës së Posaçme për krime lufte me seli në Hagë, e cila vepron me ligjet e Kosovës por me personel ndërkombëtar.

Aktualisht është në zhvillim e sipër procesi gjyqësor ndaj drejtuesve të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte, por pretendimet për trafikim organesh nuk janë përfshirë në asnjë prej akuzave.

Në pranverën e vitit 2022 zoti Marty, tha se ishte vënë nën mbrojtje të armatosur në shtëpinë e tij, nga fundi i vitit 2020 për shkak të kërcënimit ndaj jetës së tij.

“Kërcënimi me sa duket vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve serbe të zbulimit, të cilët u kanë kërkuar vrasësve profesionistë të nëntokës, të më likuidojnë dhe thjeshtë të fajësojnë njerëzit nga Kosova për këtë”, u tha ai medieve zvicerane.

Beogradi i hodhi poshtë këto pohime.

Në tetor të vitit 2022 Shqipëria i kërkoi Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që të rishqyrtojë rezolutën e mbështetur në raportin e të dërguarit Dick Marty, pasi në muajin korrik Kuvendi i Shqipërisë miratoi nje Rezolutë në të cilën thuhej se raporti i hartuar përmban pretendime, të cilat mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare.

Lufta në Kosovë që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, la pas vetes mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, pjesa më e madhe e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare. Por Gjykata e Posaçme nuk trajton asnjë rast të krimeve të luftës të kryera nga forcat serbe./VOA/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re