Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar letër edhe zyrtarisht liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit. Këtë herë, pasi Kurti propozoi 6 janarin për takim, Thaçi ka caktuar orën 15:00, raporton Express.

Në letrën e katërt të Thaçit drejtuar Kurtit, ai shpreh gatishmërinë që ta takoj Kurtin në orën 15:00, në Kabinetin e Presidencës.

“Në përgjigje të kërkesës Tuaj, shprehi gatishmërinë që t’ju pres në takim me datën 6 janar 2020 në orën 15:00, në Kabinetin e Presidentit të Republikës së Kosovës, me qëllim të konsultimit për të propozuar kandidatin për Kryeministër për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e Thaçit drejtuar Kurtit.

Ndryshe, në një konferencë për media, Thaçi kishte thënë se nuk i ka mbetur hatri nga dy refuzimet e Kurtit për takim.

“Ne nuk mund të sillemi me hatrime. Kështu që, mirësevjen në ditën që ka propozuar”, kishte thënë ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re