Në ditën e dytë të seancës gjyqësore në Hagë, ish-presidenti Hashim Thaçi ka kërkuar pafajësinë. Ai shprehu keqardhje për të gjitha viktimat e luftës, pavarësisht përkatësisë së tyre.

 

HASHIM THACI

ISH-PRESIDENT I KOSOVES

 

Ndjej keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat e luftës pavarësisht nga përkatësia, viktimat nuk marrin drejtësi kur të pafajshmit ndiqen. Une jam i pafajshem për te gjitha keto akuza.

 

Më tej, Thaçi nënvizoi se falë rezultateve të këtij procesi gjyqësor, Kosova dhe emri i tij do të pastrohen nga akuzat për trafikim organesh.

 

“Bota tani e di sot si rezultat i këtij procesi se nuk kishte trafikim organesh dhe se Shtëpia e Verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë edhe UÇK-ja, populli i Kosovës dhe gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe rreja e zezë mbi Kosovën është hequr. Pra, kjo sakrificë ja ka vlejtur.”

 

Thaçi u shpreh i keqardhur që figura si presidenti Ibrahim Rugova, sekretarja amerikane Madlen Albright, sekretari i jashtëm britanik Robin Cook, ambasadori Richard Holbroke, apo emra të tjerë nuk do të mund të dëgjohen si dëshmitarë.

 

Më herët gjatë seancës, avokatët e ish-presidentit Thaçi kundërshtuan akuzat e ngritura ndaj tij, duke argumentuar se ai nuk kishte pasur fuqi komande në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, gjatë periudhës që pretendon prokuroria. Pushteti gjatë luftës, sipas mbrojtjes, ishte në duart e komandantëve të zonës e jo të Shtabit të Përgjithshëm.

 

Sipas avokatëve, disa herë pas luftës Thaçi ka bërë thirrje që të ndalet dhuna ndaj serbëve lokalë dhe që ata të mos largohen nga Kosova.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re